
TIRANË – Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për të pasur një masë më të lehtë sigurie. Kjo është e 12-ta herë që Beleri kërkon masë më të butë sigurie.
Ndërkaq, më datë 29 janar pritet që të mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës të Belerit për leje të posaçme, në mënyrë që të betohet si kryebashkiak i Himarës. I pranishëm në këtë seancë, e cila u shty, ka qenë edhe ambasadorja greke Konstandina Kamitsi, si dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Ky i fundit u godit dhe me vezë nga një qytetar, gjatë kohës që po shkonte në gjyqin e Belerit.
Fredi Beleri u arrestua në një lokal në Himarë, 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit. Ai dyshohet se ka blerë vota, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshin. Beleri nuk ka kryer betimin, pasi gjykata nuk i ka dhënë leje për diçka të tillë. Çështja Beleri ka kaluar tashmë edhe kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë “mollë sherri” edhe në marrëdhëniet me Greqinë./ZËRI/