Politikë

Debate Shqipëri-Greqi në Komitetin Parlamentar të BE-së! Hasani: ‘Beleri’ çështje e drejtësisë shqiptare

Ministri Hasani theksoi se duhet të rritet siguria për vendet e BP, pasi rrezikohen nga influenca ruse.

D.XH
Debate Shqipëri-Greqi në Komitetin Parlamentar të BE-së!
Igli Hasani

BRUKSEL – Çështja “Beleri”, përpos se ka shkaktuar reagime dhe debate në Shqipëri dhe në Greqi, ka shkaktuar polemika edhe në Bruksel. Gjatë takimi të 17-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, kryetari i Komitetit të Stabilitim Asociimit, Manolis Kefalonaqis tha se çështja Beleri nuk i përket vetëm Shqipërisë dhe Greqisë, por është çështje europiane.

“Është fjala për Fredi Belerin, një kryebashkiak nga minoritetet dhe që i përket opozitës. Pyetja ime lidhet me vendimin e Parlamentit Europian lidhur me lirimin e menjëhershëm ose për mundësinë që ai të betohet, si dhe për lejen që duhet të japë qeveria shqiptare në mënyrë që ai të largohet nga burgu, a ka përparime për këtë vendim dhe a e ka marrë qeveria shqiptare seriozisht letrën që shoqëron opinionin e Këshillit Europian për kursin ekselent të Shqipërisë. Në ç’fazë ndodhet kjo çështje, pasi u zbulua se dy ditë para zgjedhjeve në Himarë u denoncua Fredi Beleri. U ushtrua presion mbi disa persona nga policia shqiptare, për të thënë në gjyq se kanë marrë para nga Fredi Beleri”, tha Kefalogiannis.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani, në fjalën e tij deklaroi se vlerëson mbështetjen institucionale që Parlamenti Europian ka dhënë ndaj Shqipërisë ndër vite, për përparimin në rrugën drejt rrugëtimit europian, duke theksuar se raporti i fundit i PE-së për Shqipërinë, miratuar nga shumica dërrmuese e deputetëve në seancën plenare, është dëshmi e fortë e mbështetjes. Numri një i diplomacisë shqiptare nënvizoi se çështja ‘Beleri’ nuk është çështje europiane, por çështje e drejtësisë shqiptare.

Ministri Hasani u shpreh se situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese, duke vlerësuar se influenca ruse ka bërë rajonin e BP më të pasigurt. Ministri theksoi se e vetmja mënyrë e largimit të problemeve në vendet e Ballkanit është forcimi i bashkëpunimit të vendeve me njëri-tjetrin, sidomos në lidhje me çështje të tilla si politika e jashtme, forcimi i sundimit të ligjit, si dhe çështje të zhvillimit ekonomik. Hasani shprehu mirënjohje për BE-në, që ka rritur elementet e sigurisë për shtetet ballkanike. Ai ka shprehur jo pak shqetësim, se Këshilli i Dhjetorit të vitit 2023 nuk arriti t’i përgjigjet pozitivisht pritshmërive të Shqipërisë për të bërë hap me rëndësi në procesin e anëtarësimit, për të nisur edhe negociatat për kapitullin e “themeloreve”.

Ministri Igli Hasani vlerësoi se Shqipëria ka më shumë se tre dekada që vijon me proceset integruese dhe se këto procese duhet të shkojnë tashmë drejt fundit, duke mos u penguar në asnjë moment. Hasani tha se edhe zhvillimi ekonomik i vendit tonë është i rëndësishëm, duke qenë gjithmonë nën ‘umbrellën’ europiane.

Fredi Beleri u arrestua një ditë pas zgjedhjeve të 14 Majit, i akuzuar për shit-blerje votash. Ai ndodhet në burg, teksa procesi gjyqësor ndaj tij vijon. Për burgosjen e Belerit, ka reaguar edhe Athina, që ka konsideruar të padrejtë procesin ndaj tij./ZËRI/

Poll

MOS HUMB