Politikë

'Vangjel Tavo për Himarën'/ Rama: Shpikje e mediave greke, unë s'di gjë

Kreu i qeverisë Edi Rama i cilësoi si informacione të pavërteta, shkrimet në mediat greke, se i ka propozuar Vangjel Tavos që të bëhet kryebashkiak i Himarës.

D.XH
'Vangjel Tavo për Himarën'/ Rama: Shpikje e mediave greke,
Edi Rama

TIRANË – Kryeministri i vendit Edi Rama, i pyetur për lajmet në mediat greke se i ka propozuar ish-deputetit, asokohe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavos që të marrë drejtimin e përkohshëm të Himarës, tha se janë shpikje të mediave greke. Në fjalën e tij në konferencën për gazetarët në Lezhë, Rama tha se qeveria është duke pritur vendimin e Apelit të GJKKO-së, që më pas të marrë vendime për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Himarë, pasi kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri është në burg.

"Vendimi i GJKKO ishte pozitiv në këndvështrimin tim por nuk është vendim i formës së prerë dhe ne do të presim të marrë formë të prerë, s’mund të veprojmë me një vendim të shkallës së parë. Të gjitha ato që kanë qarkulluar kanë burim median greke, jo ato shqiptare dhe as zyrën time. Nuk komentoj çfarë më vë në gojë apo kurriz media greke. I kam parë nga media shqiptare të marra nga media greke. Kështu që është një pyetje për kolegët tuaj grekë në gazeta, portale, televizione. Nuk është pyetje për mua kjo, unë di që ne presim vendimin e formës së prerë,"-tha Edi Rama.

Prej javësh mediat greke shkruanin se Kryeministri Edi Rama ka pasur një takim informal me ish-deputetin Vangjel Tavo, ku i kishte prezantuar këtij të fundit idenë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, derisa drejtësia të shprehej me vendim të formës së prerë sa i përket akuzave që rëndojnë mbi kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri. ZËRI kontaktoi disa ditë më parë dhe vetë ish-deputetin Tavo. Ish-ligjvënësi u shpreh se lajmet ishin të rreme, por nuk mohoi drejtpërdrejtë një takim me Kryeministrin Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB