
LEZHË- Kryeministri Edi Rama ka folur në fund të mbledhjes dyditore të qeverisë, e cila u mbajt në një resort në Shëngjin. Rama u pyet nga gazetarët në lidhje me shkarkimin e Elva Margaritit, për të cilën tha se e ka bërë si duhet detyrën e ministres së Kulturës, megjithatë tashmë është nevoja që ky sektor të marr një shtysë të re.
“Në fakt unë kam thënë më shumë se një fjalë për këtë. Ministria e re nuk është bërë për të larguar zonjën Margariti, por për ato arsye që unë i kam thënë dhe kanë të bëjnë me nevojën e jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejtë. Duke thyer dhe kufijtë tradicionalë, në kohën kur sektori jonë ka nevojë për një shtysë të re të fortë, sepse janë një sërë sfidash që kërkojnë vëmendje të veçantë. Inovacioni kërkon gjithashtu një orientim të drejtpërdrejtë, përveç një ministrie ekonomie që duhet të mbështesë. Përmes Inovacionit vende si i yni mund të bëjmë kapërcime të paimagjinueshme”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij me gazetarët.
Rama foli për projekte të ndryshme në infrastrukturë që do të ndërmerren përgjatë këtij viti, ku është dhe hapja e garës ndërkombëtare për Porto Romanon në Durrës.
“Hapja e garës ndërkombëtare për Porto Romanon në Durrës, do të bëjmë së shpejti një ndryshim për natyrën e financimit pasi është një projekt strategjik, pasi kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të Portit. Ndryshimi do të jetë që do të kalojë me financim të brendshëm në mënyrë që mos të zgjatemi me procedura”, u shpreh mes të tjerave Rama./ZËRI