TIRANË- Lëvizje në kampin opozitar. Gazment Bardhi ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me Flamur Nokën dhe Petrit Vasilin, përfaqësuesin nga Partia e Lirisë. Pjesë të "mbledhjes' së opozitës janë edhe aleatët e tjerë të PD-së, të cilët njëzëri kanë kërkuar bashkimin e Partisë Demokratike në një logo të vetme. Bëhet fjalë për Fatmir Mediun, Agron Dukën dhe Sali Shehun. Të gjithë duket se po synojnë krijimin e një federate opozitare, e cila do të njësojë aksionin në Kuvend kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, sipas tyre, qëllimi afatgjatë janë zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen vitin që vjen, më 2025.
Pasi kanë diskutuar lidhur me teknikalitetet sesi do të funksionojë bashkimi i federatës, probleme të vjetra janë rihapur brenda Partisë Demokratike. Flamur Noka ka përmendur edhe njëherë ish-kryedemokratin Lulzim Basha.
“Jam kundër kërkesës për bashkim me Bashën. Nuk bashkohem me ata që nuk kanë bërë opozitë,”- mësohet të jetë shprehur Noka. Por me deklaratën e tij ka një problem. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi tha dje se do ta pranonin rikthimin e Bashës, me kusht që ai t'i kthehej aksionit opozitar në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo vetëm.
Ndërsa Noka është shprehur kundër, duke mbajtur të njëjtën linjë me kryedemokratin Sali Berisha. Kur ky i fundit ishte një qytetar i lirë, është shprehur disa herë se pranon bashkimin me deputetët që e kanë mbështetur Bashën, por kurrësesi me paraardhësin e tij dhe me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Enkelejd Alibeaj, ndaj të cilëve nuk i ka kursyer akuzat.
Ndërsa vetë Bardhi, njëjtë si Boçi, rikthimin e Bashës e pranojnë vetëm me përfshirjen e tij në rolin prej një opozitari. Ndërkohë që opozita ka nisur që të lëvizë, deri më tani, nuk ka asnjë reagim nga ana e Bashës apo të mbështetësve të tij. Po ashtu, edhe Berisha në kushtet e "arrestit të shtëpsië" nuk ka shumë mundësi për të vepruar, ndaj pritet vetëm një reagim nga ana e tij./ZËRI
