
TIRANË- Kuvendi i ka dërguar shkresën zyrtare KQZ-së për zëvendësimin e mandatit të Arben Ahmetajt, i cili prej 6 muajsh nuk shkon në Kuvend.
Në shkresën e Kuvendit, që mban datën 8 Janar, KQZ njoftohet zyrtarisht se seanca e fundit ku ka qenë i pranishëm Ahmetaj është ajo e datës 6 Korrik, rrjedhimisht ka kaluar afati 6 mujor i mungesës së tij. Në këtë mënyrë tashmë është detyra e KQZ, që të nisë nga puna për zëvendësimin e Ahmetajt me një tjetër socialist që ka qenë në listat për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Emri më i mundshëm për zëvendësimin e Ahmetajt në Kuvend, është Plarent Ndreca, pasi Dallëndyshe Bici nuk ka pranuar që të heqë dorë nga drejtimi i Agjensisë së Kadastrës, në këmbim të mandatit të deputetes.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej Korrikut të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve. Edhe pse në nivelet më të larta drejtuese dhe në qeveri, Ahmetaj tashmë është shndërruar në një prej njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Karriera politike dhe postet drejtuese në administratë për Arben Ahmetajn kanë nisur që në vitin 1997, kur ai u emërua në postin e drejtorit të Tatimeve. Më pas ai do të shërbente për herë të parë si deputet në zgjedhjet parlamentare në vitit 2009, ku u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës. Mandej në vitin 2013 ai do të zgjidhej deputet duke përfaqësuar qarkun e Gjirokastrës dhe më pas sërish Tiranës.
Pas 8 viteve në opozitë, ai u emërua ministër për Sipërmarrjen në vitin 2013 ndërsa në shkurt të 2016 ai zuri vendin e Shkëlqim Canit në krye të ministrisë së Financave. Përpara se të plaste skandali i inceneratorëve, ai mbante dy funksione në qeveri, atë të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin. /ZËRI