
TIRANË- Me vendosjen e kryedemokrati Sali Berisha nën masën e arrestit të shtëpisë, Luçiano Boçi, në postin e nënkryetarit të Partisë, i ka bërë ftesë Lulzim Bashës për t’u bashkuar, dhe pse për të ish-kryeministri kishte deklaruar "vijë të kuqe". Në një konferencë për mediat gjatë ditës së sotme, Boçi u shpreh se në momentin që Lulzim Basha do të bëjë opozitë, është i ftuar që t’iu bashkohet. Por një gjë e tillë ishte deklaruar e pamundur më herët nga Berisha.
“Thirrja nuk është e hapur vetëm për demokratët por edhe për deputetët. Ata deputetë që sot janë tek pjesa e Bashës janë të ftuar të bëhen pjesë e PD-së dhe e kësaj iniciative bashkues. Duhet të jetë zgjidhja kryesore e një opozite, të dalë e përbashkët në betejë. Basha është deputet dhe në momentin që do fillojë të bëjë opozitë dhe do e dëshmojë këtë me aksion opozitar, me bashkim për PD-në gjithmonë është i ftuar. Në momentet që vazhdon të jetë patericë e qeverisë duke i shërbyer asaj me qëndrimet dhe propozimet ligjore, siç është ligji për shpifjen, nuk mendoj se ka dëshirë të bëhet pjesë e frontit opozitar.
Ftesa është e hapur për çdo demokrat dhe çdo deputet tjetër që t’i bashkohet PD-së në aksionin e saj dhe bashkimin me partitë e tjera aleate”, deklaroi Boçi.
Çfarë deklaroi Berisha para se të arrestohej?
“Unë qëndroj plotësisht te vija e kuqe. Siç e shihni ju, çdo javë dalin të dhëna të tjera tronditëse. Mos të mendojë kush se hetimi i 4 gazetarëve të BBC është i porositur nga Tirana. Jo, absolutisht. Por Lulzim Basha është përfundimisht i pakallur në rrafshin politik, e mban Edi Rama si shpifë arash. E di se çfarë është shpifa e arave? Ta tregoj unë. Kur fillon të piqet misri ose gruri, vërshojnë zogjtë dhe sorrat për t’u ushqyer. Atëherë fermerët marrin e bëjnë një dordolec, dhe e vënë që shpendët të mendojnë se është një njeri. E përdor Rama në kuptimin figurative”.
Prej ndarjes së PD-së në tre grupime, grupi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës kanë gjetur dakordësi për aksionin e tyre parlamentar, por jo për kryetarin legjitim, dhe as për vulën, që mbetet në dyert e Gjykatave. Berisha kishte ftuar për bashkëpunim të gjithë deputetët por jo Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn. Nuk dihet nëse ftesa e sotme e Boçit ka qënë një klishe, apo ka pasur një dakordësim të tij me Berishën, që në kushtet e arrestit i ndalohet komunikimi me persona që nuk janë pjesë e familjes së tij. Edhe pse ditët kanë dëshmuar që Berisha nuk i është bindur këtij vendimi, dhe mundësitë e komunikimit me kryesinë e PD-së nuk përjashtohen.
/ZËRI