
TIRANË- Blendi Gonxhja ka reaguar pas propozimit të tij nga kryeministri Edi Rama, si ministër për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, teksa e konsideron një sfidë atë që e pret në krye të këtij dikasteri. Në një postim në X, Gonxhja shkruan se do të punoj me pasion dhe me përulësi në shërbim të qytetarëve.
Postimi i Blendi Gonxhjas: Jam thellësisht i nderuar për vlerësimin e besimin e Kryeministrit Rama në këtë emërim kaq sfidues! Një privilegj që vjen me përgjegjësi të jashtëzakonshme e përkushtimin për të punuar me pasion e përulësi për të shërbyer me ide e zgjidhje për më shumë qytetarë e sektorë në vend!
Blendi Gonxhja ka qenë një prej njerëzve më besnikë pranë Ramës, mik me të, i cili ndër vite është besuar në poste të rëndësishme drejtuese, që nga bashkia ne Tiranës te Transporti Rrugor.
Nga gushti 2015, Blendi Gonxhja iu bashkua ekipit të ri të Bashkisë Tiranë të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit. Nga Tetori 2015, drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë, ku gjatë periudhës që drejtoi këtë agjenci, u ndërmorën nisma thelbësore për kryeqytetin që sollën transformimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial dhe rikualifikimin e objekteve publike ku vlen të veçohet Amfiteatri i Tiranës, krijimin e dhjetra shesheve të reja rekreative për fëmijët nëpërmjet projektit Luaj Tirana, nisma “Dhuro një Pemë” në kuadër të projektit të Pyllit Orbital, aktivitetet rekreative të Tirana Ime Outdoor e shumë projekte të tjera.
Nga Nëntori 2018, Blendi Gonxhja u emërua nga Kryeministri Edi Rama për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë./ZËRI