Aktualitet

‘Dosjet sekrete vijnë të mbyllura’, pyeten në GJKKO kancelarët e gjykatës e prokurorisë së Vlorës

Në gjyqin në ngarkim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dëshmoi kancelari i Prokurorisë Vlorë Përparim Hoxha dhe kancelarja e Gjykatës së Vlorës, Frida Gani.

D.XH
‘Dosjet sekrete vijnë të mbyllura’, pyeten në GJKKO
Fredi Beleri

TIRANË -  Në Gjykatën e Posaçme, në procesin gjyqësor ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, u pyet kancelari i Prokurorisë së Vlorës, Përparim Hoxha dhe kancelarja e gjykatës së Vlorës, Frida Gani. Hoxha tha se nuk ka akses, as tek protokolli dhe as tek regjistrimi i çështjeve.

“Unë nuk kam akses as tek protokolli as tek regjistrat e çështjeve. Këtë funksion e kryen kryesekretarja, e cila herë pas here ndihmohet edhe nga persona të tjerë, për shkak të volumit të punës. Nuk ka në Prokurorinë e Vlorës, një punonjës specifik për protokollin. Si kancelar, nuk kam përpiluar asnjë shkresë apo dokument për SPAK dhe GJKKO, për çështjen Beleri. Prokurorët e gatshëm përcaktohen nga drejtuesi i Prokurorisë, çdo muaj. Në raste zgjedhjesh, ka më shumë prokuror të gatshëm, për shkak të ngjarjeve”, tha Hoxha.

Gani në dëshminë e saj tha se dosjet sekrete nga Prokuroria vijnë me zarf të mbyllur, shënohen në regjistër dhe më pas i dërgohet një zarf i pahapur një gjyqtari të gatshëm. “Kancelari nuk merret me regjistrat ose protokollet, me këto merret Kryesekretaria. Dosjet sekrete nga Prokuroria vijnë të mbyllura me zarf, shënohet në regjistër dhe më pas i dërgohet zarf i pahapur gjyqtarit që është i gatshëm. Për veprime të ngutshme, nuk e di nëse administrata ka dalë jashtë orarit zyrtar 08:00-16:00”, deklaroi Gani.

Fredi Beleri ndodhet në paraburgim. Ai u arrestua një ditë pas zgjedhjeve të 14 majit 2023, teksa akuzohet për shit-blerje votash./ZËRI/

Poll

MOS HUMB