
TIRANE- Ermal Kurtulaj, 44 vjeç, ka të paktën mbi 10 vite që për ata që e njohin është krahu i djathtë i Ilir Beqajt, ish-ministrit që akuzohet për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet e BE gjatë kohës së drejtimit së SASPAC. Por Kurtulaj duket të jetë shoqëruesi i përhershëm i Ilir Beqajt, në 10 vite pushtet të socialistëve pasi ka mbajtur 3 herë poste drejtuese. Falë lidhjeve me ish-ministrin, Ermal Kurtulaj ka njohur për herë të parë pozitat e drejtorit, në vitin 2014, kohë kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ilir Beqaj.
Nga 3 janari 2014 deri më 31 janar 2016, Kurtulaj ishte pjesë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me 3 detyra. Pas vitit 2016, Ermal Kurtulaj u emërua si specialistit të mbikëqyrjes së PPP-ve dhe koordinator të Agjensisë së Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në vitin 2018, Beqaj e emëroi Kurtulajn si Drejtor Ekonomik-Financiar dhe person të autorizuar për veprimet me bankat, te kompania e tij. “INTECH+Shpk”, firmë e cila në 10 vite ka marrë mbi 52 milionë Euro tendera nga qeveria. Ndërsa pas marrjes së detyrës së re në SASPAC, ku do të menaxhoheshin dhe donacionet e huaja, Ilir Beqaj e emëroi Kurtulajn si përgjegjës të kontakteve. Këtu mori dhe fund karriera e vartësit të preferuar të Beqajt. Por vetëm karriera...
Në rastin e tij, në mënyrë tejet të habitshme, Prokuroria nuk ka bërë as ndalimin duke u mjaftuar vetëm me urdhërin e kontollit. Në të shkuarën, Prokurorët nuk janë treguar kaq "bujarë". Mjafton të sjellim ndër mend rastin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, ish-ministrit Lefter Koka, kryetarit të zgjedhur në Himarë, Fredi Beleri apo edhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha Jamarbër Malltezi, të cilët janë ndaluar nga autoritetet me qëllim "ndalimin e prishjes së provave". Nuk është e qartë se çfarë e pengon Kurtulajn një personazh jo i zakontë në hetimin e Beqajt, si personi kryesor që ka organizuar skemën e prerjes së faturave me qëllim përfitimin e mijëra eurove, të prishë "provat" në liri.
Çudia është në faktin sesi Kurtulaj, i cili bashkë me të vëllain darkonin gjatë gjithë verës në hotelin "Nassau" në Dhërmi, subjekt me të cilin bashkëpunonin në skemën e faturimeve... apo sesi Kurtulaj telefononte Dhurata Thanasin për ti marrë faturën fiktive dhe takimin e shkëmbimit të parave, që SPAK edhe e ka të filmuar, nuk janë rrethana bindëse se Kurtulaj do të duhet të ishte sot i ndaluar e ndoshta edhe "i penduar".
Por çfarë e bën të veçantë këtë ish-zyrtar? A ka ai ende një "protektor" apo ndalimi i tij është thjesht çështje kohe? Mbetet për tu parë!/ZËRI