
ATHINË- Mediat greke shkruajnë se Greqia ka vendosur që të ‘ndëshkojë’ sërish Shqipërinë, për shkak të çështjes Beleri. Sipas asaj që shkruajnë mediat në vendin fqinj, Athina ka bllokuar paktin e mbrojtjes mes Tiranës dhe BE-së. Bëhet me dije se shteti grek ka dhënë dritë jeshile për shumë çështje për Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë, që e konsideron një shtet, ku zbatimi i ligjit është ende problematik.
Athina po bllokon një Marrëveshje të Mbrojtjes dhe Sigurisë BE-Tiranë, lidhur me qëndrimin e qeverisë shqiptare për burgosjen e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri.
BE-ja është në proces të përshpejtimit të procedurave për nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet e treta jashtë Bashkimit Europian, me synimin për një bashkëpunim më të mirë në mbrojtje.
Pak ditë më parë u mbajt në Bruksel një takim në nivel teknik, qëllimi kryesor i të cilit ishte lidhja e një sërë marrëveshjesh të mbrojtjes dhe sigurisë me vendet brenda dhe jashtë Evropës, përkatësisht Kanadanë, Japoninë, Ganën, Moldavinë, Norvegjinë dhe Korenë e Jugut.
Greqia kundërshtoi në lidhje me Shqipërinë, duke këmbëngulur se Tirana, duke qenë se dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të punojë në përputhje me ligjet evropiane, që përfshin respektimin e shtetit ligjor si element bazë.
Në këtë sfond, grekët propozuan Maqedoninë e Veriut si vendin më të përshtatshëm për të lidhur një marrëveshje të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, pasi Shkupi ka treguar një performancë më të mirë në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa standardizimi i forcave të armatosura në atë perëndimore (përmes pjesëmarrjes së saj në NATO) ka ecur me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.
Propozimi grek nuk u pranua, por as çështja e Shqipërisë nuk eci përpara, pavarësisht mbështetjes shumë të fortë nga italianët, të cilët janë edhe partneri më i afërt i Tiranës në BE, që është rregullisht një burim ‘konflikti’ mes Romës dhe Athinës.
Lidhur me çështjen Beleri, pas dështimit të konsiderueshëm të kryeministrit shqiptar Edi Rama për të zgjidhur çështjen, autoritetet greke janë duke pritur për të parë zhvillimet deri më 25 janar, kur pritet të rinisë gjyqi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Në prapaskenë, megjithatë, kontaktet vazhdojnë, gjithmonë me kushtin, që Beleri të betohet si kryebashkiak. Fredi Beleri u arrestua majin e vitit 2023, me akuzat për blerje votash në prag të zgjedhjeve bashkiake, ku ai fitoi./ZËRI/