Aktualitet

Pas shërimit, avokati Mëngjesi kërkesë në Gjykatën e Tiranës: Lironi Dritan Nanon, nuk kam konflikt me të

Dritan Nano dhe dhëndri i tij, qëndrojnë nën masën e arrestit me burg, pasi u vetëdorëzuan një ditë pas dhunimit të avokatit Mëngjesi

E.K
Pas shërimit, avokati Mëngjesi kërkesë në Gjykatën
Sokol Mengjesi dhe te dyshuarit per sulmin ndaj tij

TIRANË- Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua barbarisht disa muaj më parë në Tiranë, kërkon lirimin nga burgu të Dritan Nanos, personit që u arrestua si i dyshuar për organizimin e sulmit ndaj tij. Në një kërkesë që ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, Mëngjesi është shprehur se nuk ka asnjë konflikt personal dhe penal me Nanon, ndërkohë që 3 prej dhunuesve të tij mbeten në kërkim. Mëngjesi u dhunua në 29 Maj, dhe kaloi disa javë në gjendje të rëndë për jetën në spital, por duket se pas përmirësimit shëndetësor, tashmë kërkon që të shuajë edhe konfliktin me Nanon.

Dritan Nano dhe Dorian Alia, të cilët u vunë në pranga pas sulmit ndaj Mëngjesit, janë lënë nën masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundimin e hetimeve.

Më herët Prokuroria ka zbutur qëndrimin për Nanon dhe Alian duke i akuzuar për “plagosje të rëndë me dashje kryer në bashkëpunim” dhe “goditje për shkak të detyrës”, ndërsa policia e regjistroi çështjen me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.

Për dhunën ndaj avokatit Mëngjesi, vijojnë të jenë në kërkim tre autorët e tjerë, Drivald Alia, Romario Tabaku dhe Elton Kasaj, teksa policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për arrestimin e tyre.

Pas ngjarjes, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, avokati Mëngjesi u dërgua për trajtim në një spital privat në Athinë, ku kaloi edhe rrezikun për jetën./ZËRI 

Poll

MOS HUMB