Aktualitet

Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, merret në pyetje në polici biznesmeni Arben Rreli

Arben Rreli është një nga 8 trashëgimtarët e pronës në zonën e Liqenit të Thatë, për të cilën ndodhi edhe konflikti pasi avokati kërkonte të merrte 1/7 e pronës në kuadër të një marrëveshje para se t'i merrte përsipër që t'i përfaqësonte në gjyq.

k.m.
Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, merret në pyetje në polici
Arben Rreli dhe Sokol Mëngjesi

TIRANË- Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi po përmirësohet, por ndërkohë që ai po trajtohet nga mjekët, hetimet për autorët e dhunës ndaj tij po vazhdojnë. Pas thuajse një javë nga dhunimi i tij, Policia e Shtetit beson që porosia është dhënë nga Dritan Nano. Këtë version e mbështet edhe dëshmia e Dorian Aliut, pasi vetë Nano pretendon se nuk ka asnjë dijeni.

Në kuadër të këtij hetimi, "Voxnews.al" bën me dije se për t'u marrë në pyetje është shoqëruar dhe marrë në pyetje edhe biznesmeni, Arben Rreli. Kjo për shkak se ai është një nga 8 trashëgimtarët e pronës në zonën e Liqenit të Thatë, për të cilën ndodhi edhe konflikti pasi avokati kërkonte të merrte 1/7 e pronës në kuadër të një marrëveshje para se t'i merrte përsipër që t'i përfaqësonte në gjyq.

Biznesmeni në fjalë ka qenë i dënuar edhe më parë, pasi ka ndërtuar një kompleks vilash në zonën e Farkës, në Tiranë. Për ndërtimet, Gjykata e ka gjetur fajtor për akuzat e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa është akuzuar edhe për vetëgjyqësi. Kështu, pas marrjes së tij në pyetje për çështjen e Mëngjesit, pritet të zbulohet nëse ai ka pasur rol në dhunimin e avokatit. 

Sipas Policisë dhe Prokurorisë Nano ka qenë në rolin e organizatorit të sulmit, ndërsa Alia në rolin e dhunuesit. Vetë ata në dëshminë e tyre në Gjykatë, janë shprehur se ngjarja nuk ka qenë e planifikuar por rastësore. Ndryshe nga sa tha fillimisht, se sulmin e kishte kryer për shkak të miqësisë me Nanon, Alia është shprehur se dhuna barbare ndaj avokatit nuk ka qenë e planifikuar.

Prokuroria ka zbutur akuzën duke akuzuar Nanon dhe Alian për “plagosje të rëndë me dashje kryer në bashkëpunim” dhe “goditje për shkak të detyrës”, ndërsa policia e regjistroi çështjen me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”. Për dhunën ndaj avokatit Mëngjesi, vijojnë të jenë në kërkim tre autorët e tjerë, Drivald Alia, Romario Tabaku dhe Elton Kasaj, teksa policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për arrestimin e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB