
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ish-kryebashkiaku i Kamzës është marrë në pyetje për më shumë se 1 orë nga prokurori Elvin Gogaj për dy tendera pastrimi kur ka drejtuar bashkinë Kamëz. Më shumë detaje lidhur me marrjen në pyetje ka thënë ai vetë për mediat kur ka dalë nga ambientet e SPAK.
Në dalje të SPAK, Mziu mbajti dhe një deklaratë të shkurtër për media, ku tha se ishte thirrur në organin e akuzës si person në dijeni. E po ashtu, shtoi se çështja në fjalë ishte dënoncuar nga këshilltarët e Partisë Demokratike.
MOMENTI ME VIDEO:
"Isha në lidhje me një çështje...ishte thjesht një denoncim nga këshilltarët e PD-së. Tenderi ka ndodhur në vitin 2019, isha si person në dijeni,"-tha Mziu pasi doli nga SPAK.
Kjo është hera e dytë që Mziu paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, pasi është paraqitur edhe më 27 korrik 2022. Mziu është kallëzuar në SPAK nga kryebashkiaku aktual i Kamzës, Rakip Suli për shpërdorim detyre. Në kallëzimin e tij, Suli ka kallëzuar Mziun pasi dyshohet të ketë favorizuar subjekte private, që janë pajisur me leje zhvillimi dhe ndërtimi, duke mos i detyruar të kalojnë 3 përqind të sipëfaqes funksionale për banesa sociale në favor ta Bashkisë. Referuar ligjit të urbanistikës parashikon që leja me sipërfaqe 2000 m2, 3% ti kalojë bashkisë për banesa sociale./ZËRI