
TIRANË- Një aksident i rëndë ka ndodhur mbremjen e djeshme në Itali, ku ka humbur jetën një 17-vjeçar shqiptar, pasi u përplas me motor. Viktima sipas mediave italiane është i riu me origjinë shqiptare Alen Karaboja. Prindërit e të riut janë me origjinë shqiptare, ndërsa vetë Alen ka lindur në Valcamonica.
Raportohet se i riu shqiptar ndërroi jetë pasi u përplas me një mur në Bienno, të Valcamonica, teksa drejtonte motoçikletën. Në të njëjtën motoçikletë me të si pasagjer ishte edhe një shok i tij me origjinë marokene, i cili mbeti i plagosur.
Sipas hetimeve të kryera nga policia, shqiptari kishte qenë në një festë ditëlindjeje me miqtë e tij, para se të ndodhte aksidenti. Ai u transportua me ambulancë ajrore në spitalin Civil në Brescia, por nuk ia doli që të mbijetojë.
Në rrjetet sociale ka pasur shumë mesazhe ngushëllimi nga ata që e kanë njohur 17-vjeçarin, mes tyre dhe një mesazh nga i vëllai i Alen, Enio, i cili ka publikuar një foto kur kanë qenë fëmijë.
“Do të dua gjithmonë vëllai im, ti je gjysma ime tjetër dhe gjithmonë më ke mbushur zemrën me gëzim” – shkruan vëllai i tij Enio në rrjetet sociale – “çdo ditë do të shikoj qiellin dhe do të përshëndes si gjithmonë. Do më mungosh, më shiko dhe më mbro nga lart, të dua”, ka shkruar ai.
