Aktualitet

Vrasja e Valter Fierzës/ Arrestohet pas një viti autori, u “bashkohet” në qeli vëllezërve

Në pranga të policisë ka rënë 21-vjeçari Luçiano Mëhilli, i cili ishte në arrati prej një viti.

I.F

 

Vrasja e Valter Fierzës/ Arrestohet pas një viti autori, u
Valter Fierza

SHKODËR- Policia e Shkodrës ka arrestuar një nga personat e shpallur në kërkim për vrasjen e Valter Fierzës. Në pranga të Policisë ka rënë 21-vjeçari Luçiano Mhilli, i cili ishte në arrati prej një viti.Pas vrasjes, 24-vjeçari Klodian Mhilli u largua në drejtim të paditur dhe pas më shumë se 5 muajsh u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës. 4 persona janë arrestuar më parë për ngjarjen e rëndë. Përkatësisht Klodian Mhilli, Aleksandër Mhilli, Paulo Mhilli dhe Enton Dushaj. Ky i fundit për ‘moskallëzim krimi’ dhe ‘shitje narkotikësh’.  

“Si rezultat i kërkimeve dhe punës së inteligjencës policore, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 21-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në fshatin Hot i Ri, rreth 1 vit më parë. Deri tani, për këtë rast, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe vijon punën për ndalimin e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim. Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 21 vjeç, banues në Shkodër. Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasin V. F., 33 vjeç.

Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin E. D., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit A. M., të kërkuar për të njëjtat vepra penale. Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit”, njofton policia.

I gjithë konflikti ka nisur fillimisht mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes Klodian Mhilli. Këta dy persona kanë debatuar me njëri-tjetrin për një parkimin e një automjeti në lagje. Fillimisht, debati ka nisur në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga.

Vëllai i viktimës i ka thënë autorit se "më ke bllokuar rrugën" dhe kështu nisi konflikti te lokali që shërbente edhe si bilardo. Pas debatit është afruar më një automjet Valter Fierza, e pikërisht në atë moment Klodian Mhilli e ka qëlluar me automatik duke e lënë të vdekur në vend.

Menjëherë pas të shtënave disa herë kanë dalë familjarët e viktimës të cilët e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës, afër makinës së tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB