
TIRANË- Avokati Sokol Mëngjesi vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore. Prej 3 ditësh, avokati vazhdon që të jetë i intubuar në sallën e reanimacionit në spitalin e Traumës në Tiranë. Megjithatë, sipas mjekëve që po e trajtojnë, ka një lajm të mirë. Pas një ekzaminimi me skaner që është bërë gjatë ditës së sotme ka rezultuar se edema që ka në një zonë të trurit nuk ka avancuar. Ky është një lajm i mirë pasi avokati mund të mos e ketë të nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale. Në një prononcim për "TopChannel", shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, Fatos Olldashi u shpreh se përsa kohë avokati është i intubuar, ende është në rrezik për jetën.
"Nëse vazhdon me këto parametra pra me ulje të edemës që ka në pjesën e përparme të truri, do të tentohet zgjimi i i tij ditën e hënë, pra të nxirret nga intubimi,"-u shpreh mjeku në prononcimi i tij.
Policia identifikoi si autorë të sulmit ndaj avokatit, Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërkohë që porositësi i sulmit është Dritan Nano, me të cilin avokati kishte një konflikt të hapur, lidhur me një pagesë që nuk i ishte dhënë nga ana e klientit të tij. Njëri prej autorëve të dhunimit, shtetasi Dorian Alia u vetedorëzua dje në policinë e Tiranës, ndërkohë që vijon puna për kapjen e personave të tjerë, ndërsa blutë kanë dhënë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për çdo person që jep informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre.
Megjithatë enuk ka asnjë gjurmë nga tre personat e shpallur në kërkim, edhe pse kontrolle janë zhvilluar në Tiranë dhe në qytete të tjera ku mendohet se mund të jenë fshehur. Nga kontrolli i sistemit “TIMS” rezulton që asnjë prej agresorëve të mos ketë dalë nga vendi, të paktën në rrugë legale. Pasi të tre mund të kenë kaluar kufirin ilegalisht./ZËRI