
TIRANË- Avokati Sokol Mëngjesi do të transportohet tani drejt Athinës. Kërkesa për transportin e tij në Greqi është bërë nga familjarët për të marrë një mjekim më të specializuar. Por ende nuk dihet sesi është gjendja e tij shëndetësore. Sot, mjekët vendosën që ta zgjonin gradualisht nga koma artificiale që e kishin vendosur për t'i shmangur ndonjë dëmtim në tru. Megjithatë, nga mëngjesi e deri më sot, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga mjekët lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Gjithë çfarë u bë me dije nga mediat, ishte se gjatë ditës së sotme atij i është bërë skaneri dhe është konstatuar një ulje e edemës, që do të thotë se ka përmirësim të gjendjes shëndetësore.
Sa i takon autorëve të sulmit ndaj tij, dy ditë më para Gjykata e Tiranës dha masën arrest me burg për Dritan Nanon dhe dhëndrin e tij Dorian Alia, ndërkohë që mbeten ende në kërkim 3 persona të tjerë. Edhe pse Prokuroria e ndryshoi akuzën për të prangosurit, duke hequr vrasjen e funksionarëve publikë, mbetur në tentativë, duke e bërë plagosje me dashje e kryer në bashkëpunim, gjykata ka vendosur që ata të hetohen në burg, ndërsa tre agresorët e tjerë vijojnë arratinë po prej 5 ditësh.
Policia ofroi shifrën prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre por deri më tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet e policisë, edhe pse dy persona i ka në pranga./ZËRI