Aktualitet

Dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi, Apeli lë në burg Dritan Nanon dhe dhëndrin e tij

Avokati Mëngjesi ndodhet ende i shtruar në një spital në Athinë, ku u dërgua pasi qëndroi për 16 ditë me radhë në koma

E.K
Dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi, Apeli lë në burg Dritan Nanon
Sokol Mengjesi dhe dhunuesit e tij

TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dy dhunuesit e avokatit Sokol Mëngjesi, duke i lënë nën masën e arrestit me burg. Dritan Nano dhe Dorian Alia do të qëndrojnë në burg, deri në përfundimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë. 

Më herët Prokuroria ka zbutur qëndrimin për Nanon dhe Alian duke i akuzuar për “plagosje të rëndë me dashje kryer në bashkëpunim” dhe “goditje për shkak të detyrës”, ndërsa policia e regjistroi çështjen me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.

Për dhunën ndaj avokatit Mëngjesi, vijojnë të jenë në kërkim tre autorët e tjerë, Drivald Alia, Romario Tabaku dhe Elton Kasaj, teksa policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për arrestimin e tyre.

NJOFTIMI I GJYKATËS SË APELIT:

Referuar materialeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, rezulton se në datë 29.05.2024, rreth orës 08:34, në rrugën “Pjetër Bogdani”, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, shtetasi me iniciale D. A, në bashkëpunim me shtetasit D. A etj, në lidhje familjare midis tyre, kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mengjesi, me profesion avokat.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestimin në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale D. N dhe D. A, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 88/1, 25 dhe 316, 25 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1433 Regj. Them, datë 01.06.2024, ka vendosur:

Pranimin e kërkesave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim N.

Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim N, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale.

Të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim A.

Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim A, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale

Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale D. N, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit vlerësimin e paligjshëm të arrestimit, në lidhje me caktimin masës së sigurimi personal nga “arrest në burg” në një masë sigurimi më të lehtë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 19.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj.  Valbona Vata, vendosi:

–Miratimin e vendimit me nr. 1433 regj.them, datë 01.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Avokati u dhunua më 29 Maj, pasi la djalin e tij në kopsht. Për ngjarjen janë në burg dy persona, Dritan Nano, që dyshohet se është dhe organizatori i sulmit, si dhe Dorian Alia, i cili u vetëdorëzua në polici pas ngjarjes. Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku mbeten në kërkim nga policia. Shkak u bë një konflikt për një pronë në zonën e Liqenit të Thatë. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB