Aktualitet

VD- “Po luanin polici i mirë, polici i keq”, iu kërkoi selfie dhe “follow” turisteve, nisin hetimet për efektivin

Video e realizuar nga turistet, dhe më pas e bërë virale në rrjetet sociale, i ka kushtuar pezullimin efektivit të policisë rrugore

E.K
VD- “Po luanin polici i mirë, polici i keq”, iu kërkoi
Punonjesi i policise dhe dy turistet gjermane

LEZHË- Një inspektor i policisë rrugore në Lezhë është pezulluar nga puna, për shkak të sjelljes së pahijshme me dy turiste, e cila është dokumentuar përmes një video të publikuar në JOQ. Efektivi Rogert Xhetani, i ka gjobitur ato me 10 mijë lekë të vjetra, për shkak se kishte të djegur një prej dritave të makinës, dhe më pas iu ka kërkuar atyre që ta ndiqnin në Instagram si dhe të bënin foto me të. Në bazë të ligjit të ndryshuar, turistet kanë paguar 5 mijë lekë të vjetra, për shkak se e kanë shlyer gjobën në moment. Në njoftimin e bluve të Lezhës thuhet se efektivi, është transferuar në një repart tjetër brenda radhëve të policisë së shtetit, në rast se do t'i hiqet masa e pezullimit. 


NJOFTIMI I POLICISË:

Në lidhje me sjelljen në mënyrë joprofesionale, gjatë kryerjes së detyrës, të punonjësit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, inspektor R. Xh., gjatë komunikimit me një shtetase gjermane, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë punonjësin e Policisë dhe ndaj tij ka nisur ecurinë disiplinore.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar transferimin e mënjëhershëm të këtij punonjësi policie, nga Sektori i Policisë Rrugore në një strukturë tjetër të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, sqarojmë se punonjësi i Policisë, përsa i përket zbatimit të procedurës ligjore për shkeljen e konstatuar, ka vepruar konform ligjit, konkretisht:

Më datë 10.06.2024, te kryqëzimi i Tales, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtuese shtetasen gjermane J. W., pasi kanë konstatuar se qarkullonte me njërën dritë të automjetit, të djegur. Pasi i kanë komunikuar arsyen e ndalimit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shtetasja nuk dinte shqip dhe për këtë arsye komunikimin me të e kanë bërë nëpërmjet Google Translate. Për shkeljen e kryer (qarkullim me të meta teknike pamore), të parashikuar nga neni 79 i Kodit Rrugor, shtetasja J. Ë. është ndëshkuar me masë administrative 1000 lekë.

Shtetasja e huaj ka pranuar ta paguajë masën administrative në çast (në dorë) dhe për këtë arsye, konform nenit 205 të Kodit Rrugor, masa administrative është përgjysmuar në 500 lekë. Këto veprime janë të dokumentuara me fletën e masës administrative dhe me mandatin e arkëtimit për pagesën e bërë.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët dhe median, që të denoncojnë në numrin 112, çdo paligjshmëri që hasin, duke iu garantuar reagim të mënjëhershëm dhe profesional./ZËRI 

Poll

MOS HUMB