Aktualitet

SPAK mbyll hetimet për dosjen “Partizani”, Berisha thirret të mërkurën, por do shkojnë vetëm avokatët

Mbyllja e hetimeve vjen pak ditë pasi Berisha dhe Malltezi u morën zyrtarisht të pandehur, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani

E.K
SPAK mbyll hetimet për dosjen “Partizani”, Berisha thirret
sali berisha ne spak

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe pritet të kalojë për gjykim dosjen ‘Partizani’, ku për protagonist kryesorë janë Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Berisha dhe avokatët e tij janë thirrur të mërkurën në SPAK, në mënyrë që të njihen me aktet përfundimtare të dosjes.

Por mësohet se në SPAK do të paraqiten avokatët e tij për t’u njohur me mbylljen zyrtarisht të hetimeve dhe jo vetë ish-kryeministri. 

Pak ditë më parë, Berishës dhe Malltezit iu komunikua zyrtarisht akuza nga Prokuroria e Posaçme, duke u marrë të pandehur, për akuzën e korrupsionit. Më herët është bërë publike dhe aktakuza e SPAK, në një dosje prej 500 faqesh, ku përveç veprimeve për dosjen Partizani, janë analizuar dhe pasuritë e Berishës dhe Malltezit, dhe janë evidentuar një sërë favorizimesh, që ish- kryeministri sipas prokurorisë ka bërë ndaj familjarëve të tij.

Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. E gjitha është bërë në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Bektashi, që është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për pastrim parash.

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur nga SPAK në vitin 2020, pas një denoncimi të bërë nga Taulat Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Berisha i ka akuzuar dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, se janë pjesë e një organizate kriminale, me të cilën ai identifikon Prokurorinë e Posaçme.

Berisha dhe Malltezi ndodhen nën masën e sigurisë arrest shtëpie, që prej Tetorit të vitit të kaluar. Fillimisht për Berishën u dha masa e sigurimit detyrim paraqitje, por pas refuzimit të tij për t’u paraqitur para policisë gjyqësore, GJKKO vendosi ashpërsimin e masës në arrest shtëpie, në muajin Dhjetor. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB