Aktualitet

Pas Berishës dhe Malltezit, edhe ndërtuesi Bektashi merret i pandehur për dosjen ‘Partizani’

Sipas SPAK, Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal

E.K
Pas Berishës dhe Malltezit, edhe ndërtuesi Bektashi merret i pandehur
Fatmir bektashi

TIRANË- Biznesmeni Fatmir Bektashi është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u njoh me akuzën e ngritur ndaj tij në lidhje me çështjen “Partizani”.

Ndaj tij është është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, një masë e cila është zbatuar, në ndryshim nga Berisha, për të cilën pati një vendim të dytë, për arrest shtëpie.

Një ditë më parë me akuzat e SPAK u njohën dhe Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Sipas SPAK, Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me Jamarbër Malltezi për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive Partizani për kryerje ndërtimesh.

Kompania Homeplan u themelua në vitin 2008 me themelues dhe ortak të vetëm Fatmir Bektashin. Deri në vitin 2018, Bektashi rezultonte pronar i vetëm në kompani, por në këtë vit, një kontratë e vitit 2014 u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të cilën, Bektashi rezulton se ka shitur 60% të aksioneve.

Kontrata e shitjes, e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se Malltezi kishte blerë 35% të aksioneve të kompanisë përkundrejt vlerës nominale prej 35 mijë lekësh. Kjo duket se ka shtyrë prokurorinë të konkludojë se përfitimi i miliona eurove dividente nga kjo kompani nga ana e Malltezit përbën përfitim të paligjshëm ndërsa skema e shitjes së aksioneve me vlerë nominale përbën mekanizmin e përdorur për fshehjen e transaksionit për pagesën e përfitimit, pra mekanizmin e pastrimit të produkteve të veprës penale./ZËRI 

Poll

MOS HUMB