
TIRANË- Zbardhen detaje të tjera lidhur me dosjen "Partizani". Hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë analizuar rolin e Federatës Shqiptare të Futbollit për privatizimin e kompleksit të klubit "Partizani". Në dosjen e SPAK, zbulohet shkresa që mban datën 2 nëntor 2000, kur Federata Shqiptare e Futbollit, e përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm Sulejman Starova, i është adresuar Albert Xhanit, President i klubit të futbollit Partizani dhe i jep pëlqimin për krijimin e kësaj shoqërie.
Por i përcakton se shoqëria duhet të ruajë me fanatizëm emrin dhe stemën e Klubit të Futbollit Partizani dhe asnjëherë nuk do ta ndryshojë atë, ndërsa përfaqësimi i Ministrisë së Mbrojtjes do të bëhet në formën e zotërimit të një aksioni. Këto aksione nuk mund të shiteshin, dhuroheshin apo të ndryshonin pronësinë. Pas këtij akordi, më datë 6 nëntor, është vendosur të themelohet shoqëria tregtare "Partizani sha" në formën e një shoqërie anonime pa ofertë publike. Me datë 7, në Gjykatën e Tiranës regjistrohet shoqëria me themelues Albert Xhanin. Një muaj më vonë, më datë 9 dhjetor 2000, Drejtoria Juridike pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Ismail Lleshi i dërgon një letër Albert Xhanit ku i deklaron se nuk e njohin procesin e shndërrimit të Klubit Sportiv Partizani.
"Është shmangur Ministria e Mbrojtjes si pronar i vetëm dhe i pakontestueshëm i Klubit të Futbollit Partizani. Shndërrimi në shoqëri aksionere, është bërë, pa qenë i regjistruar së pari Klubi i Futbollit Partizani si shoqatë sportive në gjykatë, ndërkohë që janë mbyllur mundësitë e pjesmarrjes në shoqërinë aksionere dhe të aksionerëve të tjerë. Përsa më lart, nuk do të njohin këtë shoqëri aksionere, nuk do të japin pasurinë e patundshme as me qera, as me enfiteozë, as me koncension, do të kërkojnë në gjykatë pavlefshmërinë e veprimit juridik,"-shkruhet ndër të tjea në dosjen e SPAK.
Kështu kërkohet që të ndërpriten të gjitha investimet që vazhdojnë të bëhen nga ana e Albert Xhanit në godinat e klubit, pasi nuk do të njihen si investime. Megjithatë ofron një zgjidhje tjetër, që është pranimi nga ana e Albert Xhanit që të prishet shoqëria "Partizani sh.a." dhe ripërpilimin e dokumenteve sipas ligjit. Me datë 19, Ministri i Mbrojtjes Ismail Lleshi i drejtohet Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Tiranë duke kërkuar prishjen e regjistrimit, ndërsa merr mbështetjen edhe të Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, që asokohe drejtohej nga Mustafa Muçi. Edhe ky i fundit, sugjeron nisjen e procesit në gjykatë, por nuk ka ndodhur kurrë.
Lidhur me këtë episod është marrë në pyetje nga SPAK më dt. 20.09.2022, Albert Xhani.
"Nga vitet 92-94, ka pasur një president italian dhe ka qenë sh.p.k.. Këtë sh.p.k. e hodhi në gjyq më vonë Ministria e Mbrojtjes dhe mesa di ai, gjyqfitues ka dalë Ministria e Mbrojtjes. Klubi, i cili u ndodh në mes të rrugës për moszhvillimin e aktivitetit, po kërkonte donatorë dhe sponsorizues për zhvillimin e aktivitetit të klubit. Sipas ligjit te '93-94 shoqatës së klubit dhe vetë klubit, i lindte e drejta të transformohej, nga shoqatë në shoqëri aksionere. Për këtë u morën masa, erdhi një përfaqësues i Ministrisë, i duket se quhej Bashkim, mbulonte sportin dhe kulturën në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këtë shoqatë, bënin pjesë veteranët e klubit Partizani dhe disa figura të ndritura të klubit Partizani. U bë dy herë mbledhja e asamblesë me votim të fshehtë për të marrë vendim për transformimin. Mbledhja u bë në godinën e ish Shqup-it, në prani të kamerave dhe mediave, në prani të përfaqësuesit të ministrisë së mbrojtjes, për transformimin nga shoqatë në shoqëri Aksionere. Kështu themeluan sh.a. Partizani, e cila i kishte të gjitha të drejtat si shoqëri aksionere. Por kjo shoqëri, nuk kishte asnjë lidhje me terrenet dhe klubin. U regjistruan në gjykatë. Kjo shoqëri pas themelimit të saj nuk ka marrë asnjë lloj financimi nga asnjë institucion shtetëror, qoftë edhe një mijë lekë të vjetra. U vendos, siç është paraqitur në dokumentacion, që do të vijonin aktivitetin, në ambjentet e klubit të futbollit të Partizanit, siç ka qenë."
Të nesërmen është pyetur Fatmir Mediu, i cili ka ushtruar funksionin e Ministrit të Mbrojtjes që nga shtatori i vitit 2005 deri në mars 2008, por ky i fundit ka deklaruar se nuk ka dijeni sesi ka qenë i organizuar "Klubi Sportiv Partizani". Po ashtu, shtoi se nuk ka pasur ndikim për mënyrën e organizimit apo funksionimit të këtij klubi sepse nuk kanë qenë pjesë e detyrave të tij si Ministër i Mbrojtjes. Pasardhësi i tij në detyrë, Gazmend Oketa tregoi se ka qenë në dijeni që terrenet sportive dhe objektetet e Klubit të Futbollit Partizani shfrytëzoheshin nga Klubi i Futbollit Partizani, por nuk e di se në çfarë mënyre ishte vendosur kjo marrëdhënie. Në dëshminë e tij në SPAK, Genc Ruli thotë se në dijeninë e tij, Klubi i Futbollit Partizani, rreth viteve 1997-1998 është regjistruar si shoqëri e përbashkët e Ministrisë së Mbrojtjes me subjekt privat, me emrin Puro Laço.
Me një listë të veçantë, nga Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, është miratuar lista e pronave të paluajtshme të inventarizuara të cilat nuk do të mbeten nën përgjegjësinë administrative të FA-së. Megjithëse nuk gjenden gjurmë të regjistrimit në ZVRPP të dy klubeve të mësipërme, konstatohet se në lidhje me to, merren vendime nga Këshilli i Ministrave. Kështu Klubi Shumësportesh Partizani, konstatohet se vijon të ndryshojë varësinë ndër vite.
Me urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, nr. 483 datë 13.10.2003 "Per ngritjen e grupit të punës për realizimin e dorëzimit të objekteve të teve të klubit sportiv shunisportesh 'Partizani' është ngritur grupi i punës për realizimin e dorëzimit të objekteve të klubit Sportiv Partizani, në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Ndërkohë, Klubi Shumësportesh Partizani, ka vijuar të qëndrojë në varësinë e Ministrisë së Kulturës./ZËRI