Aktualitet

U korruptua nga Rrumi i Shijakut, Apeli i GJKKO dënon me burg ish-avokatin Kërçuku

Kërçuku, akuzohet se korruptua nga Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut për të mos apeluar në Gjykatën e Apelit për tjetërsimin e 45 mijë m2 në Gjirin e Lalzit.

I.F
U korruptua nga Rrumi i Shijakut, Apeli i GJKKO dënon me burg ish-avokatin
Foto ilustruese

TIRANË- Ish-avokati Irgen Kërçuku është dënuar me 2 vite burg nga Apeli i Gjykata e Possacme e Antikorrupisonit. Ai u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Kërçuku, akuzohet se korruptua nga Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut për të mos apeluar në Gjykatën e Apelit për tjetërsimin e 45 mijë m2 në Gjirin e Lalzit. Ai përfitoi 9 milionë lekë të vjetra nga Aleksandër Laho.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 36 akti, datë 27.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit Irgen Kërçuku, kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të ligjit Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.

2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Irgen Kërçuku i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

3. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi, ku në përllogaritje të përfshihet edhe periudha e qëndrimit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

4. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Irgen Kërçuku i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

5. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.

6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

 Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

- Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit Irgen Kërçuku”, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO.

SPAK zbuloi në vitin 2017 lidhjet mes Aleksandër Lahos dhe Irgen Kërçukut. Nga përgjimet u zbulua se Rrumi i Shijakut i dha ryshfet Kërçukut, i cili në atë kohë ishte avokat, për të mos apeluar privatëzimin e 45 mijë m2 tokë publike në Gjirin e Lalzit. Kërçuku pranoi se ka marrë 9 milionë lekë të vjetra nga Laho me 2 këste, por tha se ishte kërcënuar për t’i marrë ato.

Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi është një person i njohur në botën e Krimit dhe është i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit, në kuadër të operacionit, “Porositësi”. Ai dyshohet se bashkë me tre persona të tjerë, mori peng njërin prej vëllezërve Beqiraj, Indrit Beqirajn, në afërsi të fshatit Koxhaj, në autostradën Tiranë-Durrës. Në 2019-n, ai mbeti i plagosur në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja ngjarje e ndodhur më 1 Nëntor pranë mbikalimit të Shkozetit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB