Aktualitet

Dokumentar i ZËRI-t! VITA MANIA, shërbimi i rremë në farmacitë e Tiranës dhe shitja pa kriter e suplementeve

Një shërbim krejt i rremë ofrohet në farmacitë e Tiranës. Matja e vitaminave përmes një aparature të kontestuar nga komuniteti mjekësor kudo në botë po bëhet rëndom në vendin tonë. Kush mban përgjegjësi për suplementet që shiten pa kriter? Ndiqni investigimin e ZËRI.

Redaksia Zëri
Dokumentar i ZËRI-t! VITA MANIA, shërbimi i rremë në
Vita Mania

TIRANË- Një shërbim i ri, i reklamuar gjerësisht në rrjetet kryesore të farmacive në Shqipëri është edhe matja e vitaminave dhe minerale. Ky shërbim, i reklamuar kryesisht falas, në dukje një procedurë e lehtë dhe jo invasive, lë dyshime për efektet që mund të shkaktojnë në organizëm marrja e mëpasshme e suplementeve pas rezultatit që del në matjen që bëhet me këtë aparat.

ZËRI ka bërë një investigim në të gjitha farmacitë ku kryhen këto matje për të parë e monitoruar nga afër të gjithë procesin, ku e para që dalluam është mungesa e kushteve higjieno-sanitare.

Farmacitë në Tiranë bëjnë matje të vitaminave me dy lloje pajisjesh, “Vita min professional” dhe “Vitastiq”, mini analizues të shëndetit me rezonancë magnetike kuantike të trupit.

Të dyja këto aparatura janë lehtësisht të aksesueshme në Amazone apo website të tjera dhe mund të blihen nga kushdo, pa pasur nevojën për të kaluar një filtër dhe pa pasur nevojë të jesh mjek.

Përdorimi i tyre jo mjekësor nuk është i ndaluar, e as i dëmshëm, por kurrsesi i vërtetë.

Historia nis të komplikohet kur këto aparatura futen në farmaci dhe bëhen pjesë e një skeme për të joshur qytetarët që të kryejnë matjet e vitaminave e mineraleve dhe më pas të marrin suplementet që mund tu sugjerohen nga farmacistët.

Ilir Alimehmeti, Epidemiolog klinik dhe endokrinolog thotë për ZËRI-n se e gjitha është një ‘skemë mashtrimi’, pre e të cilës mund të bien të gjithë ata që nuk janë mjaftueshëm të informuar për vërtetësinë e matjeve që bëjnë këto aparatura.

Ilir Alimehmeti:

Janë pajisje jashtë protokolleve mjekësore. Nuk janë pajisje mjekësore të cilat rregullohen me ligj dhe i bazohen jo vetëm legjislacionit shqiptar, por i bazohen dhe një legjislacioni ndërkombëtar. Ato pajisje nuk mund të merren dot si referencë për mjekësinë bashkëkohore këtu ku flasim ne në 2024-n. Ti mund ta fusësh një pajisje në Shqipëri dhe ndoshta kjo s’të ndalohet, por të thuash që kjo është një pajisje mjekësore, nuk mund ta bësh dot për arsye sepse kjo do të duhet të regjistrohet pranë Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

ZËRI zbuloi se rezultatet që marrin në dorë qytetarët që dalin nga këto aparatura, janë shumë larg realitetit.

Siç shihet edhe në grafikën e mëposhtme, i njëjti pacient brenda një periudhe dy mujore ka zhvilluar matjet në katër pika farmacie “Brisi” në zonën e ish-Bllokut, “Coli’s” pranë 21- Dhjetorit, “Orange Farmaci” pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza” dhe Farmaci “Ditë e Natë” pranë Pediatrisë.

Krahasimi i vlerave na tregon atë që studiuesit kanë pranuar prej vitesh. Këto aparatura jo vetëm që nuk përcaktojnë deficencat në trup, por nuk janë as një sistem zbulimi për mungesat që mund të ketë pacienti dhe që mund të të orientojnë drejt një kontrolli më të specializuar.

Ilir Alimehmeti:

E vërteta është që tregu jonë farmaceutik ka probleme dhe besoj të gjithë e dinë që shumë ilaçe mund t’i blesh edhe pa recetë mjekësore fare, pavarësisht se ligji e tregon shumë qartë. Marr rastin e antibiotikëve. Kjo është situata edhe për këto lloj pajisjesh mjekësore, pra pikërisht për të kuptuar nëse një pajisje mat me të vërtetë ato që pretendon që mat, shkon dhe vërtetohet përkundrejt standartit që janë pajisjet e tjera të certifikuara dhe qartësisht ju ma përmendët që këto gjetje janë krejtësisht të ndryshme që do të thotë shumë qartë, kjo lloj pajisje nuk bën dot atë që pretendon që bën dhe nuk ka marrë dot si rrjedhojë këto lloj certifikimesh që ne flasim.

Hapi i radhës është pikërisht qëllimi për të cilin është bërë dhe futja e aparaturave “Vita min professional” e “Vitastiq” në të gjitha pikat e farmacive në Shqipëri, nxitja për blerjen e suplementeve.

Të sëmurë, njerëz që ndihen të lodhur, adoleshentë të kequshqyer, të moshuar me probleme me tensionin e sëmundje të ndryshme kronike, bashkë me qytetarë të tjerë, joshen nga nga promocionet e bër në rrjetet sociale për matjet e vitaminave dhe mineraleve falas apo kundrejt një tarife prej 1000 apo 2000 lekësh të reja, për të shmangur faturat e kripura të laboratorëve të certifikuar, ku matja e vitaminave përmes gjakut kushton jo më pak se 20.000 lekë të reja.

Marka të ndryshme suplementesh qëndrojnë në dollapet e farmacive në radhë për tu shitur. Dhe i vetmi specialist që udhëzon përdorimin e tyre është farmacisti, që në këtë rast ka marrë rolin e shitësit të sa më shumë produkteve për të arritur një normë fitimi.

Edhe doktor Alimehmeti thotë që çdo lloj produkti që fusim në trupin tonë, nëse e teprojmë, mund të na shkaktojë dëme.

Studime të tjera flasin dhe për një mbidozim të vitaminave që mund të jetë toksike. Megjithatë gjithçka varet nga suplementi dhe lloji i organizmit.

Mbidozimi i vitaminave mund të shkaktojë simptoma si gjakderdhje, dhimbje stomaku, dëmtim të mëlçisë dhe simptoma të tjera. Vitaminat janë jetike nëse trupi do të kryejë funksionet themelore metabolike. Ato janë thelbësore për imunitetin, vizionin, rritjen dhe aktivitete të tjera.

Por, edhe pse trupi mund të nxjerrë sasi të tepërta të vitaminave të tretshme në ujë si vitamina C, ai mund të mbajë vitamina të tretshme në yndyrë si vitamina A, të cilat mund të jenë toksike.

Simptomat e një mbidozimi mund të jenë edhe më të rënda se kaq. Mund të sjellin të vjella, diarre, skuqje, ndryshim në ngjyrën e urinës ose jashtëqitjes, dhimbje koke serioze, marramendje, dhimbje muskulore, por disa njerëz mund të përjetojnë edhe dështim të mëlçisë apo koma nga një mbidozë e një vitamine të caktuar.

Ilir Alimehmeti:

Në vetvete, rrisku nga suplementet është relativisht i ulët, kjo është arsyeja pse jepen pa recetë. Çfarëdolloj produkti që marrim dhe fusim në trup, ka patjetër një lloj rrisku të vet, pastaj duhet parë nga lloji i produktit që është marrë dhe nga lloji i organizmit, se çfarë është ky rrisk. Kur bëhet fjalë suplemente në formë tabletash apo pilulash e me radhë, patjetër që këto lëndë kimike janë, s’diskutohet që kanë një lloj rrisku në vetvete që ndoshta njerëzit e marrin praktikisht kot. Sepse vlerësimi për të pasur nevojë apo jo për këto lloj suplementesh nuk i është dhënë në rrugë profesionale. Kështu që do të kishte qenë një rrisk shumë i vogël për tu marrë përsipër nëse ke nevojë me të vërtetë, nëse ke një deficensë vërtetë që të nevojitet suplementi. Unë personalisht do ta evitoja këtë rrisk sado i vogël qoftë, nëse jam i shëndetshëm apo janë situate që mund të zgjidhen fare mirë me dieta. në mosha specifike, sidomos mosha të mitura, do të shkoja gjithmonë tek pediatri për të pyetur, pra, nuk do ta merrja me kokën e dikujt tjetër.

Ky është vetëm një parashtrim nga ana mjekësore, nxitja e ekzistencës së një tregu të stimuluar në mënyrë të mirëfilltë për shitje produktesh edhe kur nuk janë të panevojshme, me qëllimin e vetëm, fitimin.

Ilir Alimehmeti:

Kjo është një skemë klasike spekulimi që normalisht duhet të ketë një veprim institucional në këtë drejtim, ose për të përfituar para direkt përmes bërjes së analizave apo për shitje eventualisht suplementesh apo produktesh të tjera që duhet të themi, lejohen të shiten pa recetë, pra nuk është problem tek shitja e tyre, por ndoshta kjo përdoret si nxitës për të shkuar dhe për të shitur produkte të caktuara, për të prodhuar përfitim përmes një lloj mashtrimi. Sepse askush nuk do që të harxhojë para për një sëmundje që nuk ka. Megjithatë, barra ekonomike që i bie një familjeje nuk është e vogël, këto janë përgjithësisht preparate që kushtojnë.

Megjithatë, nëse në tregun shqiptar jemi ende në mëdyshje për atë ç’ka na paraqesin farmacitë, në Evropë, skema të tilla shoqërohen me heqje licensash.

Ilir Alimehmeti:

Këto skema janë parë në shumë shtete të ndryshme, me etni të ndryshme, pra të ofrohet diçka falas që ty të ngre një nevojë, një problematikë në mënyrë artificiale. Në këtë rast është duke i thënë një personi që ka një problem mjekësor dhe jo mendoj unë që është tejet e gabuar, etikisht dhe ligjërisht. Kjo është skemë e kolauduar mashtrimi. Atje vështirë që të ndodhë në këto kohë që ne flasim, mund të kenë ndodhur dekada më parë. Sepse tani legjislacioni është shumë më i ashpër dhe veprimi është shumë i shpejtë. Në radhë të parë vetë njerëzit nuk e bëjnë sepse patjetër këto duhet të shoqërohen me heqje licensash pastaj nëqoftëse krijohen situata të tilla.

Sciencebasedmedicine” madje ka bërë një shkrim shterues për këto lloj testimesh dhe shkruan se nuk kanë kuptim dhe nuk mbështeten nga ndonjë provë e besueshme, nuk bazohet në shkencë ose në realitet, është e bazuar në hamendje.

Përdorues dhe qytetarë nga e gjithë bota kanë lënë dhe përshtypjet e tyre në Reddit lidhur me këto pajisje që i kanë parë të paktën 30 vite më parë se Shqipëria.

Ilir Alimehmeti:

Unë ftoj në radhë të parë, kush është personel mjekësor, të zbatojë atë që ka mësuar në shkollë, atë që ka mësuar gjatë jetës së tyre profesionale që e dinë që është protokoll i duhur, trajtimi, diagnostikimi e me radhë dhe të veprojnë vetëm në bazë të laboratorëve dhe pikave të certifikuara, cilado qofshin ato. Çdo veprim jashtë këtyre do të thotë që ke filluar të lëvizësh jashtë protokolleve mjekësore dhe jashtë etikës shëndetësore. Më pas organet përkatëse të bëjnë veprimet e tyre, ftoj Urdhrin e Farmacistëve këtë radhë që të bëjnë këto lloj veprimesh përkatëse, informimi. Ftoj këtu dhe institucionet që të bëjnë punën e tyre siç është për tu bërë. Këto lloj skemash përsa kohë arrijnë dhe kapen, kapen nga ju, kapen nga ne dhe vijnë informacion, fare mirë mund të kapeshin nga institucionet që kanë detyrë të parandalojnë sjellje të tilla.

ZËRI e ka bërë hapin, ka nisur një shkresë zyrtare kundrejt Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe të gjitha pikave të farmacive që janë përfshirë në këtë investigim. Por deri në publikimin e këtij materiali, nuk kemi ende një përgjigje zyrtare për mënyrën e futjes së këtyre aparaturave, monitorimin apo faktin që farmacitë nga pika të autorizuara për shitjen e medikamenteve me recetë janë kthyer në biznese të mirëfillta.

Pyetjes se kush mban përgjegjësi mund t’i përgjigjen autoritetet, ndërsa ne mundemi vetëm t’ju japim këshilla për t’ju orientuar e ndërgjegjësuar për protokollin që duhet të ndiqni në vijim dhe të thëna këto nga një mjek.

Ilir Alimehmeti:

Njerëzve duhet tua themi, nëse bini pre e këtij lloj grepi, e këtij lloj karremi për të marrë suplemente, nuk është kjo rruga e duhur. Rruga e duhur është të merrni një këshillë mjekësore dhe në rast nevoje të bëni analiza atje ku duhet, në vende të certifikuara, shtetërore apo private pastaj është vendim personal, por duhet të jenë laboratorë të akredituar. Mjekësia nuk ka lindur që të bëhen lekë përmes ilaçeve, mjekësia ka lindur për të ndihmuar jetën dhe shëndetin e njerëzve. Pra në perdorim mjetet kur na duhen, por kur nuk na duhen, absolutisht jo. Nëse ka një ankesë do shkojë tek mjeku i vet përkatës, mjeku vet i besuar për tu trajtuar për t’i dhënë ankesat e tij dhe pastaj ai bën vlerësimin. Mos të kapen rrugës nga njerëz, nga biznese private e me radhë që i thonë, ti je i sëmurë, ndërkohë që janë krejtësisht të shëndetshëm. Minimalisht të kërkojnë një mendim të dytë, përpara se të veprojnë.

Poll

MOS HUMB