
TIRANË- Farmacitë në Tiranë bëjnë matje të vitaminave me dy lloje pajisjesh, “Vita min professional” dhe “Vitastiq”, mini analizues të shëndetit me rezonancë magnetike kuantike të trupit. Të dyja këto aparatura janë lehtësisht të aksesueshme në Amazone apo website të tjera dhe mund të blihen nga kushdo, pa pasur nevojën për të kaluar një filtër dhe pa pasur nevojë të jesh mjek.
Përdorimi i tyre jo mjekësor nuk është i ndaluar, e as i dëmshëm, por kurrsesi i vërtetë. Historia nis të komplikohet kur këto aparatura futen në farmaci dhe bëhen pjesë e një skeme për të joshur qytetarët që të kryejnë matjet e vitaminave e mineraleve dhe më pas të marrin suplementet që mund tu sugjerohen nga farmacistët.
Ilir Alimehmeti, Epidemiolog klinik dhe endokrinolog thotë për ZËRI-n se e gjitha është një ‘skemë mashtrimi’, pre e të cilës mund të bien të gjithë ata që nuk janë mjaftueshëm të informuar për vërtetësinë e matjeve që bëjnë këto aparatura.
Ilir Alimehmeti:
Janë pajisje jashtë protokolleve mjekësore. Nuk janë pajisje mjekësore të cilat rregullohen me ligj dhe i bazohen jo vetëm legjislacionit shqiptar, por i bazohen dhe një legjislacioni ndërkombëtar. Ato pajisje nuk mund të merren dot si referencë për mjekësinë bashkëkohore këtu ku flasim ne në 2024-n. Ti mund ta fusësh një pajisje në Shqipëri dhe ndoshta kjo s’të ndalohet, por të thuash që kjo është një pajisje mjekësore, nuk mund ta bësh dot për arsye sepse kjo do të duhet të regjistrohet pranë Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.