TIRANË- Doktor Alimehmeti thotë që çdo lloj produkti që fusim në trupin tonë, nëse e teprojmë, mund të na shkaktojë dëme. Studime të tjera flasin dhe për një mbidozim të vitaminave që mund të jetë toksike. Megjithatë gjithçka varet nga suplementi dhe lloji i organizmit.
Mbidozimi i vitaminave mund të shkaktojë simptoma si gjakderdhje, dhimbje stomaku, dëmtim të mëlçisë dhe simptoma të tjera. Vitaminat janë jetike nëse trupi do të kryejë funksionet themelore metabolike. Ato janë thelbësore për imunitetin, vizionin, rritjen dhe aktivitete të tjera.
Por, edhe pse trupi mund të nxjerrë sasi të tepërta të vitaminave të tretshme në ujë si vitamina C, ai mund të mbajë vitamina të tretshme në yndyrë si vitamina A, të cilat mund të jenë toksike.
Simptomat e një mbidozimi mund të jenë edhe më të rënda se kaq. Mund të sjellin të vjella, diarre, skuqje, ndryshim në ngjyrën e urinës ose jashtëqitjes, dhimbje koke serioze, marramendje, dhimbje muskulore, por disa njerëz mund të përjetojnë edhe dështim të mëlçisë apo koma nga një mbidozë e një vitamine të caktuar.
Ilir Alimehmeti:
Në vetvete, rrisku nga suplementet është relativisht i ulët, kjo është arsyeja pse jepen pa recetë. Çfarëdolloj produkti që marrim dhe fusim në trup, ka patjetër një lloj rrisku të vet, pastaj duhet parë nga lloji i produktit që është marrë dhe nga lloji i organizmit, se çfarë është ky rrisk. Kur bëhet fjalë suplemente në formë tabletash apo pilulash e me radhë, patjetër që këto lëndë kimike janë, s’diskutohet që kanë një lloj rrisku në vetvete që ndoshta njerëzit e marrin praktikisht kot. Sepse vlerësimi për të pasur nevojë apo jo për këto lloj suplementesh nuk i është dhënë në rrugë profesionale. Kështu që do të kishte qenë një rrisk shumë i vogël për tu marrë përsipër nëse ke nevojë me të vërtetë, nëse ke një deficensë vërtetë që të nevojitet suplementi. Unë personalisht do ta evitoja këtë rrisk sado i vogël qoftë, nëse jam i shëndetshëm apo janë situate që mund të zgjidhen fare mirë me dieta. në mosha specifike, sidomos mosha të mitura, do të shkoja gjithmonë tek pediatri për të pyetur, pra, nuk do ta merrja me kokën e dikujt tjetër.