TIRANË-Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur dhe vrasjen në rrethana misterioze të Andi Zylyfit, i cili kishte lidhje familjare me Endrit Alibeaj, i cili u ekzekutua në rrethrrotullimin e Bradasheshit bashkë me dy persona të tjerë. Nga dosja hetimore rezultoi se Fatos Gosa i arrestuar në saj të operacionit “Plumbi i Artë”, ka qenë informatori i vrasësve me pagesë. SPAK ka zbardhur dhe atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Irfan Hazizi në Nëntor të vitit 2020 në Berat para një karburanti.
Vrasja e Andi Zylyfit 13 dhjetor 2019
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Edhe pse 26-vjeçarit u tentua t’i jepej ndihma e shpejtë, ai mbërriti pa shenja jete në spital. Ndërkohë, nga të shtënat me breshëri, mbeti i plagosur rëndë edhe Ardit Uruçi, 23- vjeç, banues në fshatin Përparim.
Atentati ndaj dy të rinjve u bë teksa ishin së bashku në një makinë tip ‘Golf’, ndërsa dyshohet për larje hesapesh mes bandash. Fatos Gosa, ka qenë duke luajtur domino me babanë e Andi Zylyfit, kur e ka parë këtë të fundit teksa lëvizte dhe u ka treguar autorëve vendndodhjen e saktë të tij, ku më pas edhe u ekzekutua. Pas atentatit, autorët u larguan në drejtim të pa ditur. 26-vjeçari Andi Zylyfi, i cili humbi jetën nga plagët e marra, ka lidhje familjare me dy personat që kanë mbetur të vrarë në atentatin e Bradasheshit të Elbasanit.
Konkretisht, Andi Zylyfi ishte, djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit u ekzekutua për pazare droge, Andi Zylyfi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi kur u vra. Të akuzuar për këtë vrasje janë Talo Çela (koka e grupit), Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva.
Atentati ndaj Irfan Hazizit
Ngjarja ndodhi në Nëntor të vitit 2020 në Berat para një karburanti. Talo Çela (koka e grupit), Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva janë të akuzuar për “Vrasje me paramendim”, të mbetur në tentative kundrejt Irfan Hazizit.