Aktualitet

Vrasja e Javorit në Fier/ Gjendet makina e përdorur nga autorët! Sekuestrohen armë e municione

Sipas Policisë, e cila ka dalë me një njoftim për mediat, makina e përdorur nga autorët ishte fshehur në garazhdin e Rexhep Pukës, i cili rezulton se është burri i tezës së autorëve. 

E.K
Vrasja e Javorit në Fier/ Gjendet makina e përdorur nga autorët!
Elton Javori

FIER- Tre ditë pas vrasjes së Elton Javorit në Fier, Policia bën me dije se ka gjetur dhe sekuestruar mjetin e përdorur nga autorët, vëllezërit Agim dhe Kreshnik Gashi. Të dy të shpallur në kërkim për ngjarjen. Sipas Policisë, e cila ka dalë me një njoftim për mediat, makina e përdorur nga autorët ishte fshehur në garazhdin e Rexhep Pukës, i cili rezulton se është burri i tezës së autorëve. Përveç mjetit “Mercedes Benz E Class Coupe” që u përdor nga vëllezërit Agim dhe Kreshnik Gashi në vrasjen e Elton Javorit, Policia ka gjetur në garazhin e burrit të tezes së tyre edhe një sasi të konsiderueshme municioni. 

Po ashtu, pas kontrollit është bërë i mundur sekuestrimi dhe i 3 celularëve të fikur, 4 jelekëve antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Ndërkohë Puka është vënë nën hetimin nën akuzën e "Përkrahjes së autorëve të krimit". Kështu, ndaj 70-vjeçarit janë ngritur akuzat për "Përkrahja e autorit të krimit", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Vrasja e Elton Javorit ndodhi më datë 7 dhjetor 2023. Autori dhe viktima dyshohet se kanë pasur një sherr mes tyre një javë më parë në Gjermani. Viktima kishte pak kohë që kishte ardhur nga shteti gjerman, ku jetonte. Elton Javori dhe Agim Gashi mësohet se kanë pasur njohje të vjetër mes tyre dhe shpesh janë përfshirë në konflikte. Nuk përjashtohet mundësia që konfliktet të ishin për shkak të përfshirjes së tyre në aktivitete kriminale. 

Viktima dhe autorët i kishin banesat shumë pranë tyre, në lagjen e Backallinjve në Fier. Vëllezërit Gashi kanë pritur që Javori të dalë nga shtëpia dhe e kanë ndjekur me makinë. Në dalje të Fierit, ata i kanë dalë paralel me makinë dhe pa zbritur nga mjetet, të rinjtë janë përballur me plumba me njëri-tjetrin, ngjarje që përfundoi me vrasjen e Javorit. ZËRI siguroi dhe publikoi ekskluzivisht pamjet e momentit të vrasjes, ku shihet se vëllezërit Gashi që ndodheshin në një mjet “Mercedes Benz” largohen të parët. Pas i ndjek viktima, por disa metra më tej, ndalon pasi plumbi në qafë i shkaktoi dhe vdekjen.

NJOFTIMI I POLICISË:

Fier/Gjendet dhe sekuestrohet automjeti i përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së 41-vjeçarit, më datë 07.12.2023. Procedohet penalisht 70-vjeçari që kishte fshehur në garazhin e banesës së tij, këtë automjet. Sekuestrohen 1 automjet tjetër, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme, që do t’i shërbejnë hetimit. Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në datë 7 dhjetor, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi E. J., 41 vjeç, shërbimet e Policisë, me mbështetje të inteligjencës policore, bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit të përdorur nga autorët gjatë ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 70 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në garazhin e mbyllur, u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip "Benz", i përdorur nga shtetasit A. G. dhe K. G., gjatë vrasjes së shtetasit E. J. Nga këqyrja e këtij automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gezhojë arme zjarri, ndërsa në banesë u gjend një fishek arme zjarri. Gjithashtu, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip "Benz", i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.

Po gjatë kontrolleve të imtësishme në zonë, në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje shtetasi R. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensivisht për kapjen e autorëve, shtetasve A. G. dhe K. G., dhe dokumentim e plotë të rrethanave ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit R. P., për veprat penale "Përkrahja e autorit të krimit", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”./ZËRI

Poll

MOS HUMB