
TIRANË- Detaje të reja nga vrasja e ndodhur paraditen e sotme në Fier, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 41-vjeçari Elton Javori. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit, ndërkohë që fqinjët e Javorit shprehen se familja ka qenë e qetë dhe pa probleme.
Ai jetonte së bashku me prindërit e tij në zonën e Backallinjve në Fier, ndërkohë që të vëllezërit e tij jetojnë në Gjermani. Fillimisht u raportua se autori është djali i një të forti në qytetin e Fierit, por deri tani policia edhe pse ka identitetin nuk e ka bërë me dije.
“Unë jam rritur me të dhe farefisin e tyre. Ky djalë ka qenë i mrekullueshëm, familje e mrekullueshme, se nga i erdhi kjo nuk e di.
Sa u futa të pija kafe, dolëm vrap. Ai jetonte me familjen, vëllezërit i ka në Gjermani”, shprehet fqinji.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe ato të FNSH-së Fier që po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorit apo autorëve
Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, ndërsa grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në një konferencë për shtyp për një ngjarje tjetër theksoi se brenda një kohe të shkurtër do të vendoset para drejtësisë autori i krimit.
“Po kemi marrë njoftim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në qytetin e Fierit. Kemi identifikuar autorin dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe kapjen e tij. Ju sigurojmë që Policia e Shtetit brenda një kohe të shkurtër do të vendosë para drejtësisë autorin e krimit”, tha Rrumbullaku.
/ZËRI