
TIRANË- Dy persona janë vënë në prangat e policisë pas aksidentit me 8 të vdekur që ndodhi në Këlcyrë, mëngjesin e të martës. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se është arrestuar Agustin Gjeta dhe Ramazan Dekovi. Gjeta ka qenë pronari i mjetit Benz, me të cilin ishin duke u transportuar emigrantët nga shtetasi Edison Bregaj, që po ashtu humbi jetën në aksidentin fatal. Të dy personat e ndaluar nga ana e policisë akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Gjirokastër/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 emigrantë nga Pakistani). Identifikohen 3 shtetas që dyshohet se kanë bashkëpunuar me drejtuesin e automjetit për transportimin drejt Shkodrës, kundrejt pagesës, të 7 emigrantëve të cilët synonin kalimin e paligjshëm të kufirit. Vihen në pranga 2 nga këta shtetas, punohet për kapjen e tjetrit (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale). Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas, si dhe bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të një hetimi proaktiv për zbardhjen e linjës së trafikimit dhe kontrabandimit të emigrantëve, është dokumentuar se 7 shtetasit nga Vendet e Treta që humbën jetën nga ky aksident po transportoheshin nga drejtuesi i këtij automjeti, nga kufiri grek drejt kufirit të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Nga këto veprime, të kryera nga strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe me strukturat e DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, dyshohet se drejtuesi i automjetit, shtetasi E. B., po bashkëpunonte me 3 shtetas të tjerë, për transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të moshave 28-32 vjeç, 3 prej të cilëve janë identifikuar.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u identifikuan 3 shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale: A. Gj., 24 vjeç dhe R. D., 23 vjeç, të dy banues në Shkodër, të cilët u vunë në pranga në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër; S. N., 23 vjeç, banues në Shkodër, i cili u shpall në kërkim, pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi. Vijon puna edhe për identifikimin e 4 emigrantëve të tjerë që kanë humbur jetën nga aksidenti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Prokuroria dhe grupi hetimor janë duke punuar për identifikimin e 7 prej viktimave të aksidentit, që ishin emigrantë nga vendet e treta. Identifikimi i tyre do të jetë i vështirë, edhe për shkak të gjendjes në të cilën janë gjetur trupat e tyre. Dyshohet se viktimat janë me origjinë nga Pakistani, ndërsa trupat e tyre u dërguan mbrëmjen e djeshme në morgun e Lushnjes.
Aksidenti i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në Këlcyrë, ku Edison Bregaj ka tentuar që t’ia mbathë policisë, për shkak të transportit të emigrantëve. Pas disa minutash ndjekje, policia i ka humbur gjurmët e tyre, ndërsa mjeti që po udhëtonte me shpejtësi tejet të lartë, ka përfunduar në një humnerë në lumin Vjosa.
/ZËRI