TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për 12 të pandehurit e dosjes “Revanshi”, ku përfshihen edhe emra të njohur si Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli. Dënimet me të larta janë dhënë për Avdylin dhe Shullazin, me nga 10 vite burg secili. Për të tjerët, dënimet variojnë nga 3 deri në 8 vite burg.
Sipas vendimit: Gjergji Cukali me 8 vite, Naim Stafuka me 5 vite burg, me 6 vite e 8 muaj burg është dënuar Enver Diva dhe Viktor Ymeraj, ndërsa me 6 vite Robert Laçi dhe Satilno Bashko, ndërsa Xhelal Rraja me 4 vite burg. Ndërkohë, Miri Bruli është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, por gjykata ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha e kaluar në paraburgim tejkalon masën e dënimit.
Dënimet dhe akuzat për secilin prej të pandehurve:
Astrit Avdyli – 10 vite burg. U shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasve D.B. dhe V.B., pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit dhe futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në burg. Dënimi fillestar ishte 15 vite burg, ndërsa iu ulën 5 vite nga gjykimi i shkurtuar.
Emiljano Shullazi – 10 vite burg. U shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e D.B. dhe V.B., pjesëmarrje dhe organizim ose drejtim të grupit të strukturuar kriminal, goditje ndaj pjesëtarëve të familjes së një personi që kryen detyrë shtetërore, si dhe futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në burg. Nga 15 vite burg që ishte dënimi fillestar, iu ulën 5 vite.
Naim Stafuka – 5 vite burg. U dënua për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes së D.B. dhe V.B., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dënimi fillestar ishte 7 vite e 6 muaj burg, ndërsa iu ulën 2 vite e 6 muaj.
Blerim Abazi, alias Blerim Gashi – 6 vite burg. U shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e D.B. dhe V.B., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Nga 9 vite burg, iu ulën 3 vite.
Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burg. U dënua për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e P.Gj., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dënimi fillestar ishte 10 vite burg, ndërsa iu ulën 3 vite e 4 muaj.
Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burg. U shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e P.Gj., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Nga 10 vite burg, iu ulën 3 vite e 4 muaj.
Robert Laçi – 6 vite burg. U dënua për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e P.Gj., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dënimi fillestar ishte 9 vite burg, ndërsa iu ulën 3 vite.
Gjergji Cukali – 8 vite burg. U shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e E.G. dhe A.G., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Nga 12 vite burg, iu ulën 4 vite.
Viktor Imeraj, alias Viktor Bajraktari – 6 vite e 8 muaj burg. U dënua për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e F.H. dhe A.H., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dënimi fillestar ishte 10 vite burg, ndërsa iu ulën 3 vite e 4 muaj.
Satilno Basho – 6 vite burg. U shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e F.H. dhe A.H., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Nga 9 vite burg, iu ulën 3 vite.
Xhelal Rraja – 4 vite burg. U dënua për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e A.N., si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dënimi fillestar ishte 6 vite burg, ndërsa iu ulën 2 vite.
Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burg. U shpall fajtor për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, të kryer në bashkëpunim. Dënimi fillestar ishte 5 vite burg, ndërsa iu ulën 1 vit e 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar.
Miri Bruli lirohet menjëherë
Një prej vendimeve të gjykatës lidhet me të pandehurin Miri Bruli. Edhe pse u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, GJKKO urdhëroi shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas vendimit, koha e kaluar në paraburgim nga Bruli është më e madhe se masa e dënimit të caktuar. Për këtë arsye, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
Në vendimin e saj, GJKKO ka përcaktuar që disa prej të dënuarve të vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë. Për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin është caktuar gjithashtu një periudhë sigurie sa kohëzgjatja e plotë e dënimit, gjatë së cilës nuk lejohet përfitimi nga lirimi me kusht.
E njëjta periudhë sigurie është caktuar edhe për Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergji Cukalin, Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon. Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një pistolete të markës Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krehërve të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.