TIRANË-Sot është mbajtur seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës. GJKKO ka vendosur të pranojë provat e reja nga SPAK, të cilat përfshijnë biseda nga aplikacioni Sky ECC, komunikime mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit.
SPAK deklaroi në gjyq se të pandehurit janë identifikuar përmes kodeve duke komunikuar me njëri tjetrin për ngarkesën e drogës dhe për rrëmbimin e Jan Prengës. Sipas organit të akuzës, mësohet se në komunikime është folur edhe për mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por kanë rrëmbyer Jan Prengën (vëllanë). Gentian Funiqi ka komunikuar që çështja të hiqej nga SPAK dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme.
Altin Hajri komunikon me Gentian Funiqin nga data 2-4 prill 2020 për Festim Bexhdilin.
Altin Hajri: “ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”.
Të pandehurit vijon SPAK, flasin edhe për ngarkesën e drogës në Ekuador. Spak citon komunikimin në korrik 2020: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”- orientonin se çfarë duhet të deklaronte Festim Bexhdili.
Gentian Funiqi komunikon me Dritan Rexhepin dhe përmend Ndrek Prengën, të cilin kërkojnë ta mbajnë nën vëzhgim. Në 30 janar 2021 Dritan Rexhepi komunikon “paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”. Komunikimet për drogën vijojnë edhe në një episod që ishte lagur me ujë deti dhe kërkohej zgjidhje.
Vendimi për përfshirjen e komunikimeve të SKY ECC ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë. Seanca e radhës është caktuar më 11 dhjetor 2026, kur procesi pritet të vijojë me administrimin e materialeve të reja.
Si ndodhi pengmarrja dhe vrasja e Jani Prengës?
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar./ZËRI