LIVE UPDATES

Samiti BE-Ballkani Perëndimor! Rama: Moment vendimtar. Kos: Shqipëria përfiton 185.6 mln €

Tirana priti sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes. Të pranishëm në takim ishin kryeministri Edi Rama, komisionerja Marta Kos, kryeiministri i Kosovës Albin Kurti dhe liderë të tjerë të rajonit. Rama në hapje të punimeve të samitit e konsideroi zhvillimin si vendimtar për rajonin drejt rrugës së Bashkimit Europian. Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos bëri të ditur shpërndarjen e fondeve të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kos deklaroi se Shqipëria do të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes pasi ka përmbushur 80% të reformave të kërkuara.

5 artikuj për këtë temë.
22 MINUTA ME PARE

"S'kërkojmë dhurata", Rama në konferencë me Kos: Do i bëjmë detyrat, jo se na i kërkon 'zysha'...

Samiti BE-Ballkani Perëndimor! Rama: Moment vendimtar. Kos: Shqipëria
edi rama

TIRANË- Procesi i integrimit europian ishte në fokus të konferencës së përbashkët të kryeministrit Edi Rama me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Rama deklaroi se përgatitja e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE pritet të nisë në vitin 2027, duke shtuar se anëtarësimi nuk ka një datë të caktuar as për vendin tonë dhe nuk ka pasur për askënd.

Kryeministri u shpreh se, sipas Komisioneres Marta Kos, viti 2027 do të jetë viti i Shqipërisë, teksa garantoi se qeveria do të përmbushë të gjitha detyrat dhe angazhimet e kërkuara në kuadër të procesit të integrimit.

“Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne po ashtu, sepse ne jemi Shqipëria, kështu që nuk diskutohet që të jetë viti i dikujt tjetër. Ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi. Jo se na i kërkon ‘zysha’ që kam në krah, por sepse na i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë...Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, por të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum. E dashur Marta, duke qenë se kjo është konferenca jonë e fundit për këtë vit, dua të të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne dhe për rajonin. Uroj që Viti i Ri të jetë më i miri ndër të gjithë vitet për ty, sepse sa më i mirë të jetë Viti i Ri për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama. 

2 ORE ME PARE

Marta Kos i drejtohet Kurtit: I dashur Albin, qeveria e re është një mundësi drejt BE-së

Samiti BE-Ballkani Perëndimor! Rama: Moment vendimtar. Kos: Shqipëria
Albin Kurti dhe Marta Kos

TIRANË-Në një konferencë të përbashkët të mbajtur gjatë punimeve të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, komisionerja Marta Kos u ndal edhe tek Kosova. Kos teksa u drejtua nga kryeministri Albin Kurti, tha se qeveria e re ka mundësinë të realizojë reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian, ndërsa njoftoi se do të vizitojë Prishtinën.

Komisionerja u ndal edhe tek Serbia, ku sipas saj, qeveria e mëparshme serbe nuk kishte përfituar mbështetje për shkak të qasjes së saj, ndërsa me qeverinë e re kanë nisur bisedimet.

Marta Kos: Në Kosovë i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu një mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga plani i rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit që të çojmë më tej këtë proces tashmë që i keni të gjitha institucionet. Bosnje-Hercegovina ka nevojë që të ratifikojë marrëveshjet e duhura që të marrë nga Plani i Rritjes.

2 ORE ME PARE

Samiti/ Marta Kos: Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave, do marrë 185.6 mln €

Samiti BE-Ballkani Perëndimor! Rama: Moment vendimtar. Kos: Shqipëria
Marta Kos

TIRANË-Komisionerja Marta Kos ka njoftuar nga Samiti, se Shqipëria do të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Kos ka deklaruar se Shqipëria ka treguar mjaft rezultate pozitive, duke përmbushur 80 % të reformave. Komisionerja njoftoi se fondet do të shpërndahen në bazë të progresit të vendeve në zbatimin e reformave, ku Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15% më shumë nga Plani i Rritjes.

Marta Kos: Të gjithë së bashku do të hyjmë në vitin e fundit të zbatimit 4-vjeçar të Planit të Rritjes. Rezultatet tuaja janë të ndryshme, tre shtete kanë bërë përparim në reforma, kurse tre shtete të tjera nuk i kanë shfrytëzuar ashtu siç duhet. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të duhura dhe do të marrë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes. Fondet janë që të shpërndahen për ata që kanë punuar më shumë. Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15% më shumë nga Plani i Rritjes, kurse Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë. Serbia deri më tani nuk ka marrë fonde nga Plani i Rritjes, por kjo mund të ndryshojë me qeverinë e re.

2 ORE ME PARE

Samiti BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, Rama: Moment vendimtar për rajonin

Samiti BE-Ballkani Perëndimor! Rama: Moment vendimtar. Kos: Shqipëria
Edi Rama

TIRANË-Po mbahet në Pallatin e Brigadave Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, nën moton “Reforma, Rritje, Integrim-Drejt Europës së bashku”. Kryeministri Edi Rama ka nisur punimet e samitit, ku gjatë fjalës së tij deklaroi se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë që tani nga integrimi gradual në tregun e përbashkët europian.

Edi Rama: Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal.

Na duhet të themi se vitet e fundit konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur. Megjithatë, ka ende shumë rrugë për të bërë. Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së.

Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi.

4 ORE ME PARE

Tirana pret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes

Samiti BE-Ballkani Perëndimor! Rama: Moment vendimtar. Kos: Shqipëria

TIRANË-Sot në Tiranë do të mbahet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, nën moton “Reforma, Rritje, Integrim-Drejt Europës së bashku”. Samiti do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave. 

Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook ka njoftuar se do të mblidhen në një tryezë liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku e pranishme do të jetë edhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Edi Rama: Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i ‘’Growth Plan’’, me temë “Reforma, Rritje, Integrim - Drejt Europës së bashku”, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë.

Programi i samitit parashikon nisjen e aktiviteteve në orën 10:00, me mbërritjen e liderëve pjesëmarrës, ndërsa në orën 12:30 do të mbahet konferenca e përbashkët për media e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane Marta Kos.

MOS HUMB