LIVE UPDATES

Inaugurohet ‘One Stop Shop’ në Qafë Thanë! Kryeministri Rama takim me Mickoskin dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmeti (VIDEO)

♦Kryeministri Edi Rama së bashku me homologun maqedonas Hristijan Mickoski kanë inauguruar sot sistemin e ri kufitar në Qafë Thanë: “One Stop Shop”. ♦Të dy liderët mbajtën një konferecnë të përbashkët për mediat nga pika kufitare e Qafë Thanës, ku e vlerësuan sistemin “One Stop Shop” si një transformim për të mirën e të dyja vendeve. ♦Rama tha se sistemi është një transformim që do t’u vlejë miliona njerëzve që kalojnë në pikën kufitare të Qafë Thanës, teksa Mickoski theksoi se ky moment do të forcojë më tej marrëdhëniet mes 2 vendeve. ♦Sistemi i ri “One Stop Shop” synon lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave të kontrollit kufitar mes dy vendeve. ♦Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Edi Rama është takuar edhe me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

3 artikuj për këtë temë.
49 MINUTA ME PARE

Vizita në Maqedoninë e Veriut/ Rama takon kreun e BDI-së, Ali Ahmeti (VIDEO)

Inaugurohet ‘One Stop Shop’ në Qafë Thanë!
edi rama-ali ahmeti

MAQEDONI E VERIUT- Kryeministri Edi Rama është takuar edhe me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Takimi vjen në kuadër të vizitës së Ramës në vendin fqinj, ku më herët ai u prit nga kryeministri Hristijan Mickoski, teksa së bashku morën pjesën në aktivitetin e inaugurimit të sistemit të ri kufitar në Qafë Thanë. 

Ndërkohë, pas takimit, Ahmeti ka ndarë detaje nga biseda me Ramën. Përmes një postimi në rrjete sociale, Ahmeti ka ndarë pamjet e takimit, teksa shprehet se me Ramën kanë biseduar "vllazërisht" për çështjet me interes të përbashkët për shqiptarët, forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, perspektivën europiane dhe partneritetin në NATO.

"Sot pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe mikun tim, z. Edi Rama.

Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi.

Ky takim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare.

Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë.

Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!", shkruan Ahmeti./ZËRI

45 SEKONDA ME PARE

"Bëni miq kryeministrat, por jo shqiptarët", Rama-gazetarit në Maqedoninë e Veriut: Çfarë je ti, protestues?

Inaugurohet ‘One Stop Shop’ në Qafë Thanë!
edi rama

MAQEDONI E VERIUT- Një moment tensioni është regjistruar gjatë konferencës së përbashkët për mediat mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, në Qafë Thanë, ku kreu i qeverisë shqiptare është përplasur me një gazetar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Gazetari e pyeti për marrëdhëniet e tij miqësore me kryeministrat maqedonas, ndërsa sipas tij, mungon interesimi për shqiptarët dhe problematikat e tyre në këtë shtet.

“Ju shohim shpesh që bëni miq kryeministrat në Maqedoni, keni mik Ali Ahmetin, shpesh bëni edhe me Mickoskin, por jo shqiptarët dhe hallet e tyre. Asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë, nuk e çelni gojën. Ju i keni miq kryeministrat apo do bëni miq shqiptarët?”, pyeti gazetari.

Rama e ndërpreu gazetarin, duke iu drejtuar me pyetjen: “Çfarë je ti, protestues?”. Më pas, vijoi të shpjegonte qëndrimin e tij, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është një shtet sovran dhe se ai nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të saj.

Reagimi i plotë i Ramës për gazetarin:

Dua të them disa gjëra, të cilat shpresoj t’i dëgjosh me të njëjtin respekt me të cilin i dëgjova unë.

Së pari, Maqedonia e Veriut është një shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe i kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë për t’u përfaqësuar. Për këtë arsye, nuk mendoj se i shërben marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër.

Çështjet që ju shqetësojnë janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike, madje mendoj se kanë më shumë sesa duhet, për t’i përfaqësuar dhe për të shpalosur të gjitha problematikat dhe opinionet e tyre.

Ju as më keni parë dhe as do të më shihni ndonjëherë të bëj fushatë për ndonjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, nuk keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të bëjnë fushatë në Tiranë apo të dalin në fotografi me mua.

Patjetër që ne kemi komunikim. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë përfaqësuesit politikë të Maqedonisë së Veriut për mbarëvajtjen e punës së përbashkët, por ka një vijë që nuk do ta shihni të kapërcehet: ajo që ndan përgjegjësitë e institucioneve shtetërore të dy vendeve dhe që u takon shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. /ZËRI

3 ORE ME PARE

Rama dhe Mickoski inaugurojnë sistemin e ri kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë: Do vazhdojmë edhe në pkat e tjera

Inaugurohet ‘One Stop Shop’ në Qafë Thanë!
edi rama-Hristijan Mickocski

QAFË THANË- Në pikën kufitare të Qafë Thanës pritet të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të sistemit të ri të kontrollit kufitar me një ndalesë “One Stop Shop”.

Mëngjesin e kësaj të diele, kyeministri Edi Rama mbërriti në pikën kufitare të Qafë Thanës. I pranishëm në aktivitet ishte edhe homologu i tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickocski.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rëndësia e këtij sistemi, duke e cilësuar një hap konkret transformimi për miliona njerëz që kalojën këtë kufi. 

 “Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni. Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo.

Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të çojmë përpara Korridorin 8.

Në mbyllje, dua t’u bashkohem kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem.

Kam edhe një ankesë për Hristianin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, tha Rama.

Sistemi i ri “One Stop Shop” synon lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave të kontrollit kufitar mes dy vendeve. Përmes këtij sistemi do të mundësohet kryerja e kontrolleve në një ndalesë të vetme, ndryshe nga sa ka qenë më parë./ZËRI

MOS HUMB