Trump, Xi dhe Putin 90 minuta në një tryezë: 4 pikat kryesore të dakordësuara
KINË- Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas samitit të tyre historik trepalësh që zgjati rreth 90 minuta.
Treshja thotë se angazhohet të shtyjë përpara reformën e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që ajo "të mund t'i përgjigjet më efektivisht sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj themelor të ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare".
Ata gjithashtu bien dakord të rrisin prodhimin e produkteve të rafinuara të naftës "për të mirën e të gjitha kombeve", pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare kundër shitjeve të naftës ruse.
Për më tepër, deklarata pohon "respektin për imunitetin e zyrtarëve shtetërorë" dhe i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare Penale të mos "abuzojë" me juridiksionin e saj. Organi ndërkombëtar ka lëshuar një urdhër arresti për Vladimir Putinin lidhur me përgjegjësinë e tij të dyshuar për krime lufte në luftën e Rusisë në Ukrainë.
Udhëheqësit pohuan gjithashtu se "lufta bërthamore nuk duhet të zhvillohet" dhe u zotuan të "angazhohen në dialog" mbi rreziqet bërthamore dhe përhapjen pasi Trump nxiti denuklearizimin në fjalën e tij hapëse dhe komentet përpara samitit.
Përfundimet e përbashkëta të plota-4 pikat e dakordësuara:
1.Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur reformën e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që ajo të mund t'u përgjigjet më efektivisht sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj themelor të ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
2.Të tre vendet planifikojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës në dobi të të gjitha kombeve. Ata riafirmuan rëndësinë e rrjedhave të qëndrueshme të energjisë.
3.Tre krerët e shteteve pranuan se parimi i pëlqimit kombëtar dhe respekti për imunitetin e zyrtarëve shtetërorë janë me rëndësi të madhe dhe ranë dakord që Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe organe të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.
4.Tre krerët e shteteve riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet. Të tre vendet do të angazhohen në dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes bërthamore./ZËRI
Përfundon takimi historik mes Trump, Xi dhe Putin, bisedimet trepalëshe zgjatën rreth 90 minuta
KINË- Takimi midis Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping ka përfunduar, sipas mediave shtetërore kineze. Bisedimet thuhet se kanë përfunduar afërsisht në orën 17:50, rreth 90 minuta takim, përtej intervalit të caktuar fillimisht prej një ore.
Tre udhëheqësit që diskutuan çarmatimin bërthamor dhe luftën në Ukrainë. Në fjalën e tij hapëse, Trump tha se “samiti historik” u ofroi SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë një shans për të “kërkuar mundësi dhe qasje të reja” për të adresuar një sërë “çështjesh shumë të rëndësishme”./ZËRI
Samiti historik/ Trump: Paqja nuk arrihet pa dialog! Xi dhe Putin thirrje për bashkëpunim midis fuqive të mëdha
KINË- Presidentët e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Kinës, Xi Jinping, dhe Rusisë, Vladimir Putin, kanë zhvilluar një takim trepalësh në Kinë, të konsideruar historik dhe me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Përpara se t’u jepte fjalën kolegëve të tij udhëheqës, Xi tha se “bashkëveprimi pozitiv midis fuqive të mëdha nuk është çështje zgjedhjeje, por një kërkesë e detyrueshme”.
Duke përmendur Kinën si shembull, ai thotë se Pekini ka “përparuar partneritetin e tij strategjik gjithëpërfshirës të koordinimit me Rusinë për një epokë të re” dhe se ka “kërkuar në mënyrë aktive të ndërtojë një marrëdhënie konstruktive dhe strategjikisht të qëndrueshme” me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Donald Trump falënderoi Presidentin e Kinës Xi për pritjen "ngrohtësisht" në Kinë, duke e quajtur një "nder" të jetë atje. Ai e përgëzoi atë për një "samit shumë të suksesshëm të Apec-ut", teksa u shpreh i kënaqur që i është dhënë mundësia për takimin e parë trepalësh midis SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, duke thënë se ata “po bëjnë vërtet histori”.
Trump theksoi se tre vendet kanë shumë çështje për të diskutuar dhe se, si presidentë të tri prej vendeve më të mëdha në botë, kanë një përgjegjësi të veçantë për të ruajtur dialogun konstruktiv.
“Shumë shpesh, liderët e mëparshëm kanë shmangur bisedimet me vendet me të cilat kishin mosmarrëveshje. Ne mendojmë të kundërtën”, u shpreh presidenti amerikan.
Ai nënvizoi më tej rëndësinë e komunikimit për arritjen e paqes: “Asnjëherë nuk është arritur paqja duke refuzuar mundësitë për angazhim dhe dialog”.
Presidenti kinez Xi Jinping u bëri thirrje tri fuqive të mëdha që të bashkëpunojnë për përballimin e sfidave globale dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit ndërkombëtar.
“Ndërveprimi pozitiv mes fuqive të mëdha nuk është çështje zgjedhjeje, por një domosdoshmëri”, deklaroi Xi.
Ai theksoi se bota nuk është më një bashkësi ishujsh të izoluar, por një hapësirë ku fatet e njerëzimit janë të ndërlidhura.
“Njerëzimi jeton në një ‘fshat global’ të vetëm, ku fati i secilit është i lidhur me atë të të tjerëve”, u shpreh presidenti kinez, duke shtuar se fuqitë e mëdha kanë “përgjegjësi të veçanta” në këtë realitet.
Ndërkohë, Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se koordinimi konstruktiv mes tri fuqive mund të kontribuojë në stabilitetin global.
Sipas agjencisë së lajmeve Tass, Putin është shprehur se detyra e forcimit të sistemit të së drejtës ndërkombëtare i takon Rusisë, Kinës dhe SHBA-së, si anëtarë themelues të OKB-së. Putini vëren gjithashtu se të tre vendet ndajnë shumë interesa të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, përfshirë atë ukrainas./ZËRI
Tre udhëheqës, 1 takim historik: Kush dëshiron çfarë nga samiti Xi-Trump-Putin?
KINË- Samiti i i udhëheqësve të Kinës, Rusisë dhe SHBA-së është në vëmendjen e të gjithë botës.
Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping do të takohen sot në kuadër të samitit të APEC-ut në qytetin kinez Shenzhen, për bisedime që ngjajnë me samitin e "treshes së madhe" SHBA-Britani e Madhe-BRSS në shkurt të vitit 1945 në Jaltë.
Në atë takim, i cili u zhvillua muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit e Britanisë, Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së ranë dakord për ndarjen e Evropës pas luftës.
Evropa, e cila nuk do të ketë një përfaqësues në bisedimet e së enjtes, do t'i shohë ato me kujdes. Buzëqeshjet dhe shtrëngimet miqësore të duarve mund të shkaktojnë gjithashtu të dridhura në Ukrainë, pas pothuajse gjysmë dekade lufte me Rusinë, dhe Tajvanin , ishullin demokratik që Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj.
Por analistët thonë se nuk ka gjasa që takimi të rezultojë në një përparim të rëndësishëm në çështje kyçe si Ukraina, çarmatimi bërthamor dhe inteligjenca artificiale, edhe nëse fakti që po zhvillohet është i jashtëzakonshëm.
Çfarë pret secili nga takimi historik?
Trump dhe Shtëpia e Bardhë e kanë paraqitur samitin trepalësh si një mënyrë për të çuar përpara kontrollin e armëve bërthamore, megjithëse vetë presidenti pranoi para se të largohej nga Uashingtoni se "është një temë e vështirë sepse është shumë e vështirë për cilindo prej nesh të thotë se do të heqim qafe armët tona bërthamore".
Uashingtoni kërkon gjithashtu të përmirësojë marrëdhëniet me Pekinin, pas luftës tregtare që çoi në vendosjen e tarifave deri në 145 për qind për produktet kineze dhe kundërpërgjigjen e Kinës përmes kufizimit të eksporteve të mineraleve të rralla.
Sipas analistëve, Trump, i dobësuar pas humbjes në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, shpreson të arrijë suksese në politikën e jashtme. Ai synon të marrë lëshime nga Putin që do t'i hapnin rrugë përfundimit të luftës në Ukrainë, por kërkon edhe rezultate konkrete për armët bërthamore, krizën në Lindjen e Mesme dhe tregtinë.
Në letër, Putini do të jetë në takim si partneri më i vogël, krahasur me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Por, Putin e sheh takimin si një mundësi për ta paraqitur Rusinë si superfuqi në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Kinën.
Putini do të inkurajohet nga mundësia për të përcaktuar kushtet e tij për t'i dhënë fund luftës pa qenë në tryezë aleatët kryesorë të Kievit, evropianët, apo Ukraina.
Si mikpritës, Xi Jinping e di se "takimi mund ta vendosë Kinën në qendër të diplomacisë globale dhe të forcojë pozicionin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara", sipas analistëve.
Pekini ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm gjatë gjithë luftës në Ukrainë, duke qëndruar zyrtarisht neutral, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat se i ofron Rusisë më shumë sesa thjesht mbështetje të heshtur, përfshirë eksportin e supozuar të teknologjisë me përdorim të dyfishtë. Gjithashtu, ai kërkon gjithashtu përfundimin e luftës në Iran, e cila po ngadalëson furnizimet me naftë përmes Ngushticës së Hormuzit./ZËRI
Sytë nga Kina! Pas takimeve 'kokë më kokë', pritet samiti trepalësh Trump, Putin dhe Xi Jinping
KINË- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zbarkoi në Shenzhen të Kinës të mërkurën për samitin e APEC-ut dhe u përqafua nga Presidenti kinez Xi Jinping pas mbërritjes. Trump shtrëngoi duart gjithashtu me Presidentin rus Vladimir Putin, në takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga samiti i Alaskës në vitin 2025.
Pamjet e Xi Jinping, Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit së bashku në Shenzhen kanë tërhequr vëmendjen një ditë përpara bisedimeve trepalëshe. Tre liderët u fotografuan në kuadër të samitit të APEC-ut, ku janë mbledhur disa prej figurave më me ndikim të skenës ndërkombëtare.
Sot, tre liderët pritet të zhvillojnë një takim të përbashkët, i pari i këtij formati mes drejtuesve të SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë luftërat në Ukrainë dhe Iran, përhapja e armëve bërthamore, tensionet tregtare dhe zhvillimet në inteligjencën artificiale. Takimi përbën gjithashtu një mundësi për presidentin kinez Xi Jinping që të shfaqë ndikimin e vendit të tij në skenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, më herët, Trump ka zhvilluar takim 'kokë më kokë' me Putin dhe Xi Jinping. Dy takime dypalëshe që i paraprinë samitit trepalësh në Shenzhen.
Sipas raportimeve, në takimin që zgjati për rreth një orë me Xi Jinping, Trump vlerësoi "marrëdhënien e tij të shkëlqyer me Xi" duke thënë se u shërben "shumë mirë" njerëzve në të dy vendet e tyre.
Ndërsa, gjatë takimit mes Trump dhe Putinit u vu re kufizimi i rreptë i pranisë së mediave, ku brenda sallës u lejua vetëm një kamerë televizive, ndërsa dy presidentët shoqëroheshin nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt. Sa i përket takimit, sipas raportimeve, Putin u largua nga takimi “me humor shumë të mirë”./ZËRI