LIVE UPDATES

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit të Veliajt! Demo dhe Koçiu, drejtues politikë për Tiranën

♦Partia Socialiste zhvilloi sot Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalëzit ♦Punimet e asamblesë nisën me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili mbylli transmetimin live, duke deklaruar se do t’iu drejtohet fillimisht anëtarëve socialistë. ♦Zgjedhjet lokale të 9 majit ishin në qendër të vëmendjes, ku për Tiranën, u caktuan drejtues politikë të Partisë Socialiste, Ervin Demo dhe Albana Koçiu. ♦Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, Rama ka kërkuar që në përfundim të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të hidhet në votim përjashtimi nga partia i Elisa Spiropalit dhe avokatit të Erion Veliajt, Plarent Ndreca. ♦Gjatë fjalës së tij Rama u ndal tek protestat në vend dhe sa i përket zgjedhjeve u shpreh se duhet disiplinë dhe punë në skuadër. ♦Ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, publikoi një letër drejtuar socialistëve në Asamble, ku kërkoi shkarkimin e Ramës përmes mocionit të mosbesimit.

16 artikuj për këtë temë.
3 ORE ME PARE

Klosi sqaron fatin e Spiropalit dhe Ndrecës në PS: Jashtë forumeve, por jo të përjashtuar nga partia

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
blendi klosi

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka reaguar pas lajmeve për përjashtimin nga partia të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke sqaruar se deklarata e tij është keqinterpretuar.

Përmes një reagimi publik, Klosi thekson se të dy nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të PS- së, por nuk bëhet fjalë për përjashtimin e tyre nga partia. Sipas tij kjo nuk ka kuptim në një parti ku anëtarësimi mund të kryhet edhe përmes aplikimit online.

Klosi ka sqaruar gjithashtu arsyen pse propozimi për përjashtimin e tyre nuk u votua në Asamble duke thënë se tre anëtarë u shprehën kundër këtij qëndrimi dhe se diskutimi u zhvillua lirisht.

Në përfundim, ai i cilësoi raportimet e tjera si 'konsum mediash' dhe theksoi se Partia Socialiste do të vijojë rrugën e saj me frymën pozitive të Asamblesë.

Reagimi i Blendi Klosit:

Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.

Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë.

Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje./ZËRI

4 ORE ME PARE

Koçiu reagon pas emërimit si bashkëkryetare e PS Tiranë: Do të vijojmë punën në çdo lagje e njësi

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
ervin demo & Albana Koçiu

Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar ne një postim në rjetet sociale pas caktimit si bashkëkryetare e Partisë Socialiste në Tiranë duke falenderuar kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë.

Në një reagim pas Asamblesë Kombëtare të PS-së Koçiu ka bërë të ditur se angazhimi i saj do të vijojë në terren në çdo lagje dhe njësi të kryeqytetit, në bashkëpunim me Ervinin, Ogertën dhe strukturat e tjera socialiste.

Ajo e ka lidhur këtë angazhim me objektivat e Partisë Socialiste për zhvillimin e vendit dhe integrimin europian duke vënë theksin edhe te përmirësimi i shërbimeve dhe përmbushja e premtimeve ndaj qytetarëve.

“Tirana, kryeqyteti europian i të gjithë shqiptarëve, jep shembullin e zhvillimit, krijon mundësi të reja për çdo familje dhe nis fitoren e Partisë Socialiste drejt #SHQIPËRIA2030”, shkruan Koçiu në reagimin e saj.

Reagimi i Koçiut:

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste

Me skuadrën, energjinë dhe vizionin e duhur për të përmbushur misionin historik të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kontratën e besës me qytetarët për shërbime më cilësore dhe rezultate konkrete, duke bërë më shumë e më mirë çdo ditë.

Mirënjohje Kryetarit të Partisë Socialiste për besimin e dhënë për të qenë bashkëkryetare e PS Tiranë.

Bashkë me Ervinin, Ogertën dhe çdo socialist të Tiranës, do të vijojmë punën në çdo lagje e në çdo njësi, sepse pikërisht nga Tirana, kryeqyteti europian i të gjithë shqiptarëve, jepet shembulli i zhvillimit, krijohen mundësitë e reja për çdo familje dhe nis fitorja e Partisë Socialiste drejt #SHQIPËRIA2030./ZËRI

5 ORE ME PARE

Demo dhe Koçiu në drejtimin e PS-së në Tiranë, Demo: Do të forcojmë organizimin në çdo lagje

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
ervin demo & Albana Koçiu

Pas besimit të marrë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të drejtuar së bashku degën e PS-së në Tiranë me Albana Koçiun, Demo ka reaguar përmes një postimi, ku ka falenderuar kryeministrin Edi Rama dhe anëtarët e Asamblesë.

Në reagimin e tij, Demo ka theksuar se puna e përbashkët do të përqendrohet te forcimi i strukturave të partisë në çdo lagje, njësi administrative dhe fshat të kryeqytetit. Ai ka renditur si prioritete komunikimin me qytetarët, ndjekjen e problematikave të tyre dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Demo ka nënvizuar gjithashtu se përgjegjësia e tyre është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve politike, duke theksuar rëndësinë e dëgjimit të kritikave dhe adresimit të shqetësimeve të komunitetit.

Reagimi i Demos:

Faleminderit kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për besimin që na dhanë sot mua dhe Albana Koçiut për të drejtuar së bashku Partinë Socialiste në Bashkinë e Tiranës.

Mirënjohje për çdo socialist e socialiste për punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite.

Së bashku me Albanën, me skuadrën e deputetëve të Bashkisë së Tiranës dhe me të gjitha strukturat tona, do të angazhohemi për organizimin dhe forcimin e Partisë Socialiste në çdo lagje, njësi administrative e fshat të Tiranës.

Një organizim që mbështetet te puna në ekip, përgjegjësia individuale, komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe ndjekja konkrete e problemeve të tyre.

Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të kërkojnë më shumë prej nesh: shërbime publike më të mira, shkolla të sigurta për fëmijët, institucione që përgjigjen dhe zgjidhje për shqetësimet e përditshme.

Për mua, këtu matet edhe puna politike: sa pranë njerëzve jemi, sa i njohim problemet e tyre dhe sa këmbëngulim për t’i zgjidhur.

Duhet të dëgjojmë edhe kur kritika është e fortë, të pranojmë atë që nuk funksionon dhe të punojmë për ta përmirësuar.

Së bashku me deputetët, drejtuesit e strukturave dhe çdo anëtar të Partisë Socialiste, do të ndërtojmë një mënyrë pune ku secili ka përgjegjësi të qarta, ku prania në terren është e përditshme dhe ku çdo shqetësim i qytetarëve ndiqet deri në zgjidhje.

Përgjegjësia jonë është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Besimin që morëm sot do ta kthejmë në organizim, punë konkrete dhe rezultate për Tiranën!./ZËRI

6 ORE ME PARE

Rama-Spiropalit në Asamblenë e PS-së: Unë për ty isha Skënderbeu, ti për mua Mamica, por nuk i gjuhet shtëpisë me gur

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
EDI RAMA & ELISA SPIROPALI

GJIRI I LALZIT- Diskutimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit janë shoqëruar me replika, ku nuk kanë munguar as referencat historike dhe as kritikat për mënyrën e funksionimit të qeverisë.

Në fjalën e tij, Rama i është drejtuar Spiropalit duke rikujtuar mënyrën se si ata i drejtoheshin njëri- tjetrit në të kaluarën. Kryeministri ka përmendur emrin e Skënderbeut dhe Mamicës për të përshkruar raportin e dikurshëm mes tyre, ndërsa më pas i ka përcjellë një mesazh

“Unë për ty kam qenë Skënderbeu, ti për mua Mamica, por nuk mund t’i gjuash shtëpisë me gur” mësohet të ketë thënë Rama.

Nga ana e saj, Spiropali ka theksuar se është dakord me qëndrimet e kryeministrit, por ka sqaruar se kritikat e saj kanë qenë të përqendruara te disa emërime në qeveri.

“Kryetar, unë jam dakord me qëndrimet e tua, por kam ngritur zërin për disa ministra të caktuar, se si janë zgjedhur”, është shprehur Spiropali./ZËRI

7 ORE ME PARE

Përfundon Asambleja! Klosi: Bashkia e Tiranës në drejtimin e Manastirliut! Elisa, ende anëtare e PS

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Blendi Klosi

TIRANË-Ka përfunduar mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, pa një vendimmarrje për përjashtimin e deputetes Elisa Spiropalit nga partia. Në përfundim të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje për vendimet e marra në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Klosi njoftoi se drejtimi politik dhe organizativ i partisë në kryeqytet do t’u besohet dy bashkëkryetarëve, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, ndërsa drejtimin e Bashkisë së Tiranës do ta marrë Ogerta Manastirliu. Ai theksoi se organizimi partiak do të mbetet i pandryshuar në strukturë, pavarësisht ndryshimeve në drejtimin e bashkive.

“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë si në të gjithë bashkitë e vendit. Drejtimi i partisë së bashkisë së Tiranës do jetë nga Demo dhe Koçiu. Drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu”, tha Klosi.

Sa i përket kërkesës së kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit, Kolsi tha se “Elisa vazhdon të jetë anëtare e PS”.

Klosi: Prandaj janë diskutime të brendshme. Vendimmarrja ishte për miratimin e platformës ‘Këshilltari i bashkisë sime’, miratimin e procesit për të vazhduar fushatën elektorale në çdo cep të territorit.

Gazetarët: Do ta shqyrtoni në një moment të dytë? A është anëtare e PS, Elisa Spiropali?

Klosi: Po është anëtare e PS.

7 ORE ME PARE

Një votë më pak në Kuvend? Çfarë ndodh nëse përjashtohet Spiropali, PS zbret në 81 mandate

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Elisa Spiropali

TIRANË-Kryeministri Edi Rama kërkoi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste të hidhet në votim përjashtimi i deputetes Elisa Spiropali. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i anëtarëve të Asamblesë, por nëse Spiropali përjashtohet ndryshojnë edhe numrat e mandateve të socialistëve në Kuvend.

Partia Socialiste siguroi shumicën e mandateve në Kuvend, në zgjedhjet e 11 majit 2025 me 83 vende, por numri u ul me largimin e deputetets së Malësisë së Madhe, Marjana Koçeku. Aktualisht janë 82 vende, dhe me përjashtimin e Spiropalit, mandatet e socialistëve do të zbrisnin në 81.

Kjo do të thotë se PS nuk do të mund të sigurojë e vetme shumicën e cilësuar prej 84 votash, që i lejonte PS të miratonte pa probleme edhe ligjet. Në këto kushte, votat e tre deputetëve socialdemokratë të Tom Doshit do të merrnin një rëndësi vendimtare për mazhorancën.

8 ORE ME PARE

Rama kërkon largimin e Spiopalit dhe Ndrecës, Xhafaj kundër: Të merren masa, jo të përjashtohen

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama

TIRANË-Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecë, avokatit të Erion Veliajt është shoqëruar me debate brenda mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste. Mësohet se deputeti i PS, ka dalë kundër propozimit të kryeministrit Edi Rama. Raportohet se Xhafaj ka deklaruar që ndaj tyre “të merren masa, por jo të përjashtohen”.

Rama kërkoi votim të anëtarësisë për rastin e Spiropalit, që kjo e fundit të mos jetë më mes socialistëve. Ndërkohë, pas përplasjes publike me Plarent Ndrecën, është kërkuar që edhe ky i fundit të ndëshkohet.

Për rastin e Erion Veliajt, Rama mësohet të jetë shprehur se për këtë të fundit nuk do të kërkohet përjashtim apo masa ndëshkimore, pasi ai “i ka duart e lidhura”.

8 ORE ME PARE

'Jemi pushteti më i pambështetur mediatikisht'/ Zgjedhjet vendore, Rama: Duhet disiplinë ose s’ka fitore

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Edi Rama

TIRANË-Nga asambleja e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi para socialistëve se për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme më 9 maj 2027, nevojitet disiplinë dhe punë skuadre. Rama theksoi se debati deri më 9 maj duhet të jetë për Shqipërinë që dëshirojmë.

Edi Rama: Debati për Shqipërinë është ky: duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh ore ça Shqipërie duam? Si bëhet ajo Shqipëria nëse duam një Shqipëri ku kemi shumë më tepër për të rishpërndarë. Nuk rishpërndahet varfëria! Rishpërndahet pasuria! Pasuria duhet krijuar dhe nuk krijohet duke parë me dyshim paranë dhe çdokënd që sjell para. Këto janë të thjeshta, por kanë vënë në pikëpyetje a duhet thënë mirëdita apo ajo fjala tjetër kur sheh tjetrin në mëngjes. Të gjitha këto mbyllen te një pikë: disiplina. Nuk ka skuadër që fiton trofe pa disiplinë. Nuk ka skuadër që fiton finale të mëdha pa disiplinë, nëse topin e duan të tërë dhe disa të xhonglojnë, të tjerë duan të marrin trofeun pa bërë këpucët pis në fushë. Përballë kësaj, kemi vetëm dy gjëra: të vërtetat tona dhe gojën tonë. Jemi pushteti më i pambështetur mediatikisht nga mediat tradicionale. Në këto kushte duhet sy më sy, goja dhe të vërtetat. Të vërteta që duhet të prekin çdo lloj fushe, pa asnjë paragjykim.

9 ORE ME PARE

Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës, ‘amniston’ Veliajn: Ai i ka duart e lidhura

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Plarent Ndreca, Edi Rama, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali

TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga diskutimet në Asamblenë e PS, gjatë kohës që kryeministri Edi Rama kërkoi të mbyllej transmetimi live për të folur veç me socialistët. Raportohet se kryeministri Edi Rama ka kërkuar që përjashtimi i deputetets Elisa Spiropali të hidhet në votim. Ndërkohë sa i përket përjashtimit të kryebashkiakun e Tiranës, Rama mësohet të ketë thënë për Erion Veliajn: “Për atë jo, sepse i ka duart e lidhura.”

Megjithatë njejtë si për Spiropalin, Rama ka kërkuar të zhvillohet një votim edhe për përjashtimin e avokatit të kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i anëtarëve të Asamblesë.

Spiropali prej kohësh tashmë ka kërkuar ndryshime në Partinë Socialiste, dhe është rreshtuar kundër politikave të fundit. Deputetja ka deklaruar shpesh herë se protestat dhe pakënaqësitë qytetare nuk duhet të injorohen. Spiropali i ka kërkuar Ramës që t'i japë një zgjidhje politike situatës. 

9 ORE ME PARE

'Nuk hyet në BE me korrupsion', Rama: Fakti që drejtësia godet edhe brenda PS-së, garanci

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, ka komentuar procesin e integrimit evropian dhe rolin e institucioneve të pavarura të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij nëse do të kishte korrupsion nuk do të vijonte puna për integrimin në BE, duke u shprehur se kjo lidhet me krijimin dhe mbështetjen e organeve të pavarura të drejtësisë. Kreu i qeverisë deklaroi se fakti që këto organe godasin korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik, edhe brenda PS-së, tregon se pavarësia e tyre është e garantuar.

Edi Rama: Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u rrokullisur në humnerë. Sot ekonomia ka prekur tavanin e 30 miliardë eurove. Nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u zhytur në korrupsion, por duke mbështetur pa kushte organet e pavarura të drejtësisë që e luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik. Ndryshe nga çfarë nxjerrin buçitë e grykave publike, shqiptarët janë të mençur që ta kuptojnë se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda, është rrjedhojë e të vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë. Ndaj ka hyrë Shqipëria në atë faqe dhe nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë. Ky vend prodhon çdo ditë, në të gjitha kanalet e veta mediatike, 60% përmbajtje kundër qeverisë, afro 30% përmbajtje neutrale dhe vetëm 10% përmbajtje pro qeverisë. 

10 ORE ME PARE

Asambleja e PS, Rama: Shqipëria po përballet me presion të brendshëm, protestat degraduan

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Edi Rama

DURRËS- Janë hapur 'dyert' e Asamblesë së PS, e cila ka nisur punimet në një resort në Gjirin e Lalzit dhe kryeministri Edi Rama po mban fjalën. Më herët Rama kërkoi t’iu drejtohej me një mesazh anëtarëve të Asamblesë dhe mbledhja vijoi me dyer të mbyllura.

Edi Rama: Kush udhëheq duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart se zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa humbur kthjelltësinë e shikimit. Ky është një moment i tillë. Në raportin më të fundit për zgjerimin, KE-ja ka shkruar një frazë, e cila nuk ka zënë vend, se s’ka se si të zërë vend asgjë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit, në kushtet kur vendi po jeton nën presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune, në dukje kundër qeverisë, por në fakt kundër mënyrës se si ne duam që Shqipëria të shkojë përpara.

10 ORE ME PARE

Veliaj i kërkoi dorëheqjen, Rama e shkarkon! Ikën Balla e Manastirliu, drejtimin politik të Tiranës e merr Demo e Koçiu

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit

TIRANË-Teksa para nisjes së Asamblesë së PS, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama përmes mocionit të mosbesimit, kreu i qeverisë u përgjigj me ndryshimet e para. Gjatë zhvillimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, takim i cili po zhvillohet me dyer të mbylluar është njoftuar se ministri i brendshëm Ervin Demo dhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu do të jenë bashkëdrejtuesit politikë të Partisë Socialiste në Tiranë.

Demo dhe Koçiu do të ndajnë drejtimin politik të socialistëve në kryeqytet, në një lëvizje organizative që vjen në kuadër të riorganizimit të strukturave të partisë. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, është një ndër emrat e përfolur deri më tani si një nga kandidatët e mundshëm për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit. Me ndryshimet e reja, largohet Erion Veliaj, Taulant Balla dhe Ogerta Manastirliu, të cilët kishin bashkëdrejtimin politik të qarkut Tiranës. 

Ndryshimet po bëhen të ditura teksa, kryeministri Edi Rama vijon komunikimin me anëtarët e Asamblesë. Pritet të mësohen edhe emrat e tjerë që do të marrin drejtimin politik në qarqet e vendit./ZËRI

11 ORE ME PARE

Rama mesazh me dyer të mbylluar! Anëtarët e Asamblesë fikin telefonat, asnjë komunikim me jashtë

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
pamje nga asambleja e PS

DURRËS-Asambleja e PS ka nisur punimet në një resort në Gjirin e Lalzit me dyer të mbyllura. Ishte vetë kryeministri Edi Rama i cili kërkoi ndërprerjen e transmetimit live, ku u shpreh se do t’iu drejtohet me një mesazh anëtarëve të Asamblesë.

Por veç diskutimit me dyer të mbyllura mësohet se telefonat e të pranishmëve janë të fikur, ndërsa nuk është e mundur të komunikohet me anëtarët e Asamblesë brenda sallës. Pas përfundimit të komunikimit me dyer të mbyllura, pritet që kryeministri të mbajë edhe një deklaratë publike për mediat.

Ajo që u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi është se në Asamblenë e PS nq fokus të diskutimeve do të jetë fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 dhe organizimi i partisë.

11 ORE ME PARE

'Kush i propozon ministrat', Veliaj: Rama ndërhyri te shkarkimet, më kërkoi mandatin

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Erion Veliaj

TIRANË-Në letrën drejtuar Asamblesë së PS, kryebashkiaku Erion Veliaj ka ngritur pikëpyetje mbi kriteret e përzgjedhjes së ministrave, përfaqësimin e tyre në PS dhe nivelin e debatit që zhvillohet në organet drejtuese për përbërjen dhe drejtimin e qeverisë. Veliaj akuzon kryeministri Edi Rama për ndërhyrje politike në Bashkinë e Tiranës dhe përpjekje për t’i ndërprerë mandatin e marrë me votë nga qytetarët.

Sipas tij, Rama ka ndërhyrë në administratën e bashkisë gjatë kohës që ai ndodhej në paraburgim, me synimin për të dobësuar ndikimin e tij politik. Kryebashkiaku pretendon se ndërhyrej e Ramës kanë qenë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit të tij për qëllime politike, duke iu referuar më tej vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Erion Veliaj:Le të fillojmë nga mënyra se si formohet qeveria. Kush i propozon ministrat? Mbi cilat kritere politike dhe profesionale përzgjidhen? Çfarë përfaqësimi kanë në Partinë Socialiste? Çfarë debati zhvillohet në organet e saj për përbërjen dhe drejtimin politik të qeverisë? Përgjigjja që dëgjojmë shpesh është se qeveria është përgjegjësi e kryeministrit. Kushtetuta ia njeh kryeministrit kompetencën për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Kjo kompetencë është e qartë dhe nuk vihet në diskutim. Por kompetenca kushtetuese për të formuar qeverinë nuk e përjashton përgjegjësinë politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur.

Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe marrëdhëniet klienteliste. Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. 

Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim. Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra. Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Ky është një fakt juridik i qartë.

Por ai kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike: përse u ndërmor një procedurë që përfundoi me shfuqizimin kushtetues të shkarkimit të një kryetari bashkie të zgjedhur drejtpërdrejt? Unë kam shprehur bindjen, tashmë edhe në Strasburg, se pas përpjekjes për shkarkimin tim ka ekzistuar një qëllim për neutralizimin tim politik.

11 ORE ME PARE

Rama me dosje në dorë mbërrin në Asamblenë e Partisë Socialiste

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Edi Rama

DURRËS-Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Gjirin e Lalzit, ku do të zhvillohet Asambleja e Partisë Socialiste. Rama është paraqitur në ambientet e takimit duke mbajtur një dosje në dorë, ndërsa më herët  kanë mbërritur më herët edhe ministra, deputetë dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste.

Asambleja e sotme zhvillohet pas afro nëntë muajsh dhe pritet të ketë në fokus organizimin e partisë për zgjedhjet vendore, riorganizimin e drejtuesve politikë në qarqe dhe mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

11 ORE ME PARE

'Jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj", Veliaj: PS si ‘Squid Game’, kush do të ‘hahet’ i radhës?

ASAMBLEJA E PS- Rama kërkon përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit
Erion Veliaj

TIRANË-Në letrën e bërë publike, drejtuar socialistëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një paragraf ia ka kushtuar momentit kur ka hyrë në Partinë Socialiste dhe të tashmen e saj. Veliaj kujton kohën kur luftohej për drejtësi për ngjarjet e rënda si Gërdeci dhe 21 Janari, kurse sot sipas tij PS bashkëpunon me padrejtësinë. Veliaj shprehet se sot bëhen aleanca me të fortët e qyteteve, ku vendosin për gjithçka vetëm një ose dy ndividë. 

PJESË NGA LETRA:

Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes. Atëherë ngrinim zërin për çdo gjë. Sot heshtim për shumëçka. Kërkonim drejtësi për Gërdecin dhe 21 Janarin. Sot bashkëjetojmë me padrejtësinë. Në asamble e kongrese kishte entuziazëm dhe optimizëm. Sot pllakos heshtja dhe frika, si në “Squid Game”: kush do të “hahet” i radhës? Dikur sfida jonë ishte si t'i përfshinim të gjithë njerëzit që na afroheshin. Sot kemi hallin e atyre që na largohen. Bënim aleanca me mësuesit, mjekët dhe profesionistët. Sot bëjmë aleanca me të fortët e qyteteve.

Quo Vadis, PS?

Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine. Investonim te faktet dhe e vërteta. Sot te thashethemet dhe intrigat. Harxhonim energji për të gjetur miq. Sot harxhojmë energji për të zbuluar armiq. Bënim garë kush hapte më shumë shkolla, jo kush hapte më shumë biruca. Ishim një skuadër. Sot vendosin një apo dy individë. Ishim të gjithë të Partisë Socialiste. Sot jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj. Rrinim mes njerëzve, në rrugë, kafene dhe markata. Sot i shmangim, sepse nuk përballemi dot me pakënaqësinë e tyre. Kishim Kryeqytetin Evropian të Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Sot përballemi me pamjet e dhunës, gazit dhe zjarrit. Indinjoheshim nga padrejtësia. Sot mjaftohemi që padrejtësia të mos na bjerë neve. Dikur kishim më pak mandate, por mbështetje të madhe. Sot kemi më shumë mandate, por mbështetje më të vogël. Mbillnim pemë dhe ndërtonim së bashku. Sot presim degët e njëri-tjetrit dhe mbjellim ndasi. Thërrisnim për bashkim. Sot kërkojmë armiq të brendshëm. Kishim moton “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Sot “Secili për vete, Zoti për të gjithë”.

Ku po shkojmë? 

MOS HUMB