"Kemi Diellën, ministren e parë me IA", Rama: Inteligjenca Artificiale, bekim për Shqipërinë
PARIS- Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si një 'bekim' inteligjencën artificiale për një vend si Shqipëria. Në Forumin e Paqes në Paris, Rama u pyet për ndikimin e inteligjencës artificiale në anëtarësimin për në BE, ku përmendin ministren 'Diella' dhe theksoi se teknologjia mund të ndihmojë në përshpejtimin e proceseve. Sipas Ramës, IA-ja mund të ndihmojë dhe të transformojë edhe marrëdhënies mes qytetarëve dhe institucioneve.
“Kemi ministren e parë të Inteligjencës Artificiale. Jemi shumë të kënaqur me të. Po përmirësohet dita ditës. E transformuam procesin e vjetër të transfozimit të legjislacionit europian shumë shpejtë përmes inteligjencës artificiale. Po punojmë për një proces prokurimesh publike që kryhet plotësisht përmes inteligjencës artificiale. AI është bekim për vende si i yni që vijnë nga shumë pas dhe për të cilat AI i ndihmon të bëjnë gjëra që ndryshe s’do të mund t’i bënin dot. Kemi krijuar atë që do të jetë pasqyra dixhitale që transformon marrëdhëniet mes qytetarëve e institucioneve. Për ne është bekim, ndërsa për Gjermaninë nuk është”, tha kryeministri Rama./ZËRI
'Kosova është e pavarur, s’ka kthim pas!'/ Rama: Serbia të heqë dorë nga fantazitë
PARIS- Kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës duke deklaruar nga Parisi se ky është një realitet i pakthyeshëm dhe se Serbia duhet ta pranojë atë si fakt. Gjatë një prononcimi në kryeqytetin francez, Rama u shpreh se pretendimet për rikthimin e Kosovës nën Serbi janë një fantazi që pengon normalizimin e marrëdhënieve në rajon.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria ka ndjekur një politikë paqedashëse dhe se marrëdhëniet me fqinjët duhet të ndërtohen mbi bashkëjetesën dhe mirëkuptimin. Megjithatë sa i përket raportit mes Serbisë dhe Kosovës ai u shpreh se pavarësia e kësaj të fundit nuk mund të vihet më në diskutim.
“Shqipëria ka qenë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit ka qenë e angazhuar në nxitjen e paqes dhe bashkëpunimit në rajon. Ka disa gjëra për të cilat nuk mund të zgjedhësh. S’mund të zgjedhësh dot kushërinjtë e fqinjët. Fqinjët janë aty ku janë, nuk do të shkojnë askund. Më mirë të shkosh mirë me fqinjin, se pastaj gjen belanë. Gjyshja ime thoshte: fqinji i lumtur do një shtëpi të lumtur, e kundërta është sfiduese. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur, me një farë shkalle suksesi.
Sa i takon çështjes së Serbisë dhe Kosovës, mbetet një pikëpyetje. Sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë, ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur, s’ka më kthim pas, s’ka asnjë mënyrë për ta rikthyer një fantazi të re serbe. Kështu që, sa herë e kam thënë gjithmonë, sa më shpejt që serbët ta njohin si një fakt të jetës, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht për sa u takon marrëdhënieve në rajon”, tha kryeministri Rama../ZËRI
"Ndikim nga Irani, ANTIFA, opozita"/ Rama nga Parisi: Protestat në Tiranë komplekse, projekti i Kushner i nxiti, por...(VIDEO)
PARIS- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris, ku po merr pjesë në diskutimet në Musée de l’Homme, në kuadër të “Forumit të Paqes”. Gjatë bashkëbisedimit, Rama komentoi edhe protestat e zhvilluara në Tiranë, duke u shprehur se dhuna gjatë tubimeve është e papranueshme.
I pyetur se çfarë kanë të përbashkët protestat në Evropë me ato në Shqipëri, Rama u përgjigj duke bërë një dallim mes protestave të zhvilluara në Tiranë. Sipas Ramës, protesta në Tiranë, nisi si një manifestim masiv në fillim të qershorit, lidhur me projektin në Sazan nga ku mbeti një numër i vogël njerëzish, të cilët sipas tij, e përshakllëzuan protestën në dhunë.
“Do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s'ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama.
Më tej, Rama i cilësoi si shumë komplekse, në të cilat sipas tij, ndërthuren interesa dhe shqetësime të ndryshme, të ndikuara nga faktorë të ndryshëm. Kreu i qeverisë shqiptare përmendi si faktorë sipas tij, ndikimin nga Irani, opozita, iluzionet e ANTIFA-s e deri te krimi i organizuar.
“Mendoj se kurdo e kudo ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar në përpjekje për të gjetur çfarë ka në sfond. Sfondi i kësaj proteste është mjaft komplekse. Është si një tenxhere ku zien gjithçka. Nga shqetësimi për mjedisin, gjepura anti-semite të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, si republika Khomeiniste e Iranit, parti të mëdha e të vogla të opozitës që fshihen pas, iluzionet e ANTIFA-s, por edhe njerëz që kanë shqetësimet e tyre për kostot e jetesës e deri te njerëz të sjellë nga krimi i organizuar. Është një gjë tejet komplekse, që nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por në disa mënyra. Buxheti i ri përmes masave të mara do e lirojë pak presionin e kostos së jetesës. E shoh, sepse e shoh edhe në Francë sesa komplekse është, pavarësisht se konteksti është ndryshe”, tha mes të tjerash Rama./ZËRI