DETAJE të reja nga dosja: Nga diagramet e dyshuara të SHISH-it te targat 'speciale' në makinat e Agasi
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur lidhur me hetimin ndaj Ergys Agasit dhe ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni. Bëhet fjalë për nëntë fletë me diagrame të gjetura në automjetin e Agasit, për të cilat SPAK ka deklaruar se janë prodhuar nga SHISH. Ndërkohë, sipas arsyetimit të GJKKO-së, këto dokumente përmbajnë informacion të klasifikuar, të përpunuar dhe të gjurmuar në mënyrë operative nga agjentët e SHISH-it.
Mbrojtja ka pretenduar se nuk ekziston asnjë provë që ta vërtetojë këtë lidhje. Megjithatë, gjykata thekson se printimet përmbajnë analiza të detajuara gjurmuese të cilat, sipas saj, janë 'vepër e shërbimeve sekrete'.
“Këto mënyra gjurmimi të dhënash, analizimi dhe përpunimi informacioni dhe demonstrimi material i gjithë kësaj pune operative të të dhënave është vepër e shërbimeve sekrete. Sigurisht që hetimi paraprak i mëtejshëm do të duhet ta sqarojë këtë fakt me rëndësi të drejtpërdrejtë relevante me procedimin penal”, thuhet në dokument.
Ndërkohë, një tjetër element që bie në sy nga dosja hetimore është ajo e targave në automjetet e përdorura nga Agasi. Sipas SPAK, dyshohet se Agasi ishte pajisur nga zyrtarë të Policisë së Elbasanit me targa të paidentifikueshme. Bëhet fjalë për targa që përdoren vetëm për disa institucione specifike shtetërore./ZËRI
Akuzat e reja/ Agasi paguante për të marrë informacionet e SHISH, iu nisi 950 mijë € vëllezërve të Vlora Hysenit
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet e SPAK, pasi regjistroi akuzën e pastrimit të parave dhe korrupsionit për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, e cla ndodhet nën masën e sigurisë 'arrest shtëpie'. Hetimi po zhvillohet paralelisht me çështjen e parë kundër Vlora Hysenit, e cila lidhet me dy akuzat e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Nxjerjes së sekretit hetimor”. Hyseni dyshohet se përfitoi të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes vëllezërve të saj në Gjermani.
Hetimi nisi pasi në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi 'EATABACCO', u gjet një fletë formati më shënim dore, ku shkruahej shifra 119.162.400 lekë, rreth 1.2 mln euro. Kjo shifër rezultoi identike me transfertën drejt “Enklo Counstruction”, një kompani që nuk ka asnjë lidhje me teknologjinë e informacionit, nga “Sinteza Co” që së bashku me “Albascan” kishin fituar një tender të AKSHI-t me vlerë rreth 18 milionë euro.
Më pas “Enklo Counstruction”, i ka paguar Ergys Agasit Range Roverin me targa G444A, në shumën prej 290.000 Euro. Po “Enklo Counstruction”, i dërgon një shumë prej 420 mijë eurosh kompanisë “Fortis Beton” të Orest Sotës, i njohur për lidhjet me Ergys Agasin. Edhe kompania “Fortis Beton” kakryer dy transferta jashtë vendit, nga 250.000 Euro secila në mars 2024, drejt kompanisë gjermane Wilhelm & Co Planungsgesellschaft. Transfertat janë bërë me arsyetimin për projektimin arkitekturor të një qendre tregtare rreth17.000 m2 në Tiranë, që nuk është bërë kurrë.
Verifikimet janë duke u kryer edhe për një tentativë transferte bankare prej 450 mijë euro nga llogaria e kompanisë së Orest Sotës “Fortis Beton” në drejtim të një kompanie gjermane që është e rregjistruar në emër të vëllait të Vlora Hysenit, Izet Hyseni alias Dingler.
Sipas SPAK Ergys Agasiu ka përdorur fonde të AKSHI për korrupsion kundrejt Vlora Hysenit dhe se anulimi i transfertës së tretë prej 450.000 Euro nuk e përjashton dyshimin se ajo shpërblehet nga Agasi për dhënien e informacioneve sekrete të SHISH. SPAK ka nisur letra porosi për autoritet në Kosovë dhe në Gjermani, për të gjetur më shumë detaje në lidhje me vëllezërit e Vlora Hyseni dhe lëvizjet e parave nga kompanitë ku njëri është i punësuar dhe tjetri pronar.
Pastrim parash e korrupsion/ SPAK zgjeron hetimiet për ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni
TIRANË-Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar akuza të reja për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, e cla ndodhet nën masën e sigurisë 'arrest shtëpie'. Raportohet se Hyseni po hetohet për “pastrim parash” dhe “korrupsion”, akuza të cilat rëndojnë më shumë pozitën e saj. SPAK po verifikon një transfertë në një kompani ku është i punësuar vëllai i Vlora Hysenit, Izet Dingler. Ndërkohë po verifikohen edhe disa listpagesa që janë gjetur në zyrën e 'EATABACCO' të Ergys Agasit.
Akuzat e reja vijnë në kuadër të hetimeve të dosjes së AKSHI-t, ku ajo dyshohet për përfshirje në veprimtari që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi. Hyseni akuzohet se i ka ofruar ndihmë Ergys Agasit gjatë kohës që ai ishte në arrati.
Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI