LIVE UPDATES

Dy viktima nga shpërthimi në Elbasan, pallati shpallet i pabanueshëm! Policia: Shkak rrjedhja e gazit

♦Shpërthimi i fuqishëm i ndodhur një ditë më parë në një pallat pesëkatësh në Elbasan ka shkaktuar dy viktima. ♦Hamit Ibra, 69 vjeç, është viktima e dytë e shpërthimit, trupi pajetë i të cilit, u gjet nën rrënoja pas 17 orësh kërkimesh. ♦Viktima e parë, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, u raportua disa minuta pas zjarrit.  ♦Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se dyshohet që shkak i zjarrit tragjik të ketë qenë prania e një sasie të tepërt gazi në banesën e 69-vjeçarit. ♦Nga hetimet, rezulton se ka pasur rrjedhje te gazit brenda apartamentit të 69-vjecarit, aty ku u konstatua zjarri dhe më pas u përhap në të gjithë godinën. ♦Pallati 5-katësh, i ndërtuar në vitet ’70-‘80, është shpallur i pabanueshëm për shkak të dëmeve të rënda. ♦Sipas drejtoreshës së Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, pallati duhet të shembet. ♦Shpërthimi ndodhi mesditën e 4 nëntorit, kur flakët, të cilat nisën në katin e tretë, u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat. ♦Ngjarja tragjike shkaktoi dy viktima dhe 10 të plagosur. 

3 artikuj për këtë temë.
7 ORE ME PARE

Shpërthimi në Elbasan, Instituti i ndërtimit: Godina do të shembet, kryebashkiaku: Banorët do të strehohen

Dy viktima nga shpërthimi në Elbasan, pallati shpallet i

ELBASAN-Një ditë pas shpërthimit që la pas dy viktima në pallatin pesë katësh në Elbasan, godina duhet të shembet. Persida Shkrepa drejtoresha e institutit të ndërtimit deklaroi nga vendngjarja se pallati është ndërtuar në vitet ‘70 dhe ka pësuar dëmtime të forta, ku si pasojë është i pabanueshëm. Shkepa gjithashtu njoftoi se do të duhet që të sigurohen edhe objektet që janë përreth.

Persida Shkrepa, drejtoresha e institutit të ndërtimit: Ky është një objekt i ndërtuar në vitet ‘70. Dëmtimet që kanë pësuar kanë qenë të forta nga gazi dhe zjarri. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm. Duhet të merren masa sa më shpejta për t’u demoluar. Duhet të merren masa që edhe banorët që do të duhet të hyjnë në objekt, në seksionin e parë ku nuk ka pasur goditje. Seksioni i dytë është i pabanueshëm dhe i paaksesueshëm nga asnjë banor. Do duhet që të bëhen të shoqëruar me forcat zjarrfikëse. Masa e dytë që duhet marrë, në një rreze prej 30 metrash, do të duhet që të sigurohen edhe objektet që janë përreth.

Ndërkohë kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja njoftoi se banorët që nuk kanë mundësi të qëndrojnë te të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe ushqimet. Sipas tij, Bashkia do të vijojë t’u garantojë strehim deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe marrjen e masave sipas ligjit për emergjencat civile.

Gledian Llatja: Që mbrëmjen e kaluar janë marrë masa për akomodimin e të gjithë personave që nuk kishin mundësi të strehoheshin. Ata janë sistemuar në konviktin e qytetit të Elbasanit, ku u janë siguruar edhe ushqimet përkatëse. Një pjesë e madhe e banorëve kanë dalë nga banesat vetëm me rrobat e trupit. Disa prej tyre kanë qëndruar te të afërmit, ndërsa të tjerë janë akomoduar në strukturat tona të strehimit. Do të vijojmë t’i strehojmë në ambientet e Bashkisë së Elbasanit deri në përfundimin e procedurave ligjore. 

9 ORE ME PARE

Pallati në Elbasan u dogj dhe u shemb, Policia: Shkak rrjedhja e gazit në banesën e 69-vjeçarit që u gjet i pajetë

Dy viktima nga shpërthimi në Elbasan, pallati shpallet i
pamje nga ngjarja

ELBASAN-Prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit, Hamit Ibra, i cili u gjet i pajetë pas rreth 17 orësh, dyshohet të jetë shkaku i zjarrit tragjik në pallatin në Elbasan i cili shkaktoi dy viktima dhe 10 të lënduar. Policia njofton se rrjedhja e gazit ka qenë shkak edhe për shpërthimin e fuqishëm në pallat. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije banorët e lënduar kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.

Shpërthimi ndodhi mesditën e 4 nëntorit, ku flakët e nisura në katin e tretë u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat, muret dhe duke shkaktuar shembje. Si pasojë, tre kate të pallatit janë bashkuar me njëri-tjetrin. Përveç Hamit IbrëS, pronarit të banesës, ku raportohet se pati rrjedhje gazi, si pasojë e zjarrit humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.

11 ORE ME PARE

Thellohet bilanci nga shpërthimi në Elbasan! Pas 17 orësh, gjendet i pajetë 69-vjeçari në rrënojat e pallatit

Dy viktima nga shpërthimi në Elbasan, pallati shpallet i
pamje nga vendngjarja

ELBASAN-Pas më shumë se 17 orësh kërkimesh të pandërprera, është gjetur i pajetë nën rrënojat e pallatit 69-vjeçari Hamit Ibra, i cili rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit në apartamentin në Elbasan, ngjarje e ndodhur pasditen e 4 nëntorit. Humbja e jetës së 69-vjeçarit, thellon bilancin, duke u bërë viktima e dytë, pas 82-vjeçares Hatixhe Berisha e cila humbi jetën si pasojë e zjarrit.

Shpërthimi ndodhi në pallatin pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” ndërsa flakët e nisura në katin e tretë u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat, muret dhe duke shkaktuar shembje. Tre kate të pallatit janë bashkuar me njëri-tjetrin. 

Në operacion u përfshinë dy ekipe të specializuara kërkim-shpëtimi, me gjithsej 17 efektivë, të cilët punuan gjatë gjithë natës për lokalizimin e 69-vjeçarit. Për realizimin e operacionit u përdorën pajisje dhe mjete të specializuara, përfshirë kamera termike, kamera kërkimi, pajisje për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e strukturave të rënda. 

Kërkimet për 62-vjeçarin u ndërprenë mbrëmjen e djeshme me vendim nga ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet ndërtesa. Operacioni rifilloi sot në orët e para të mëngjeit, por fatkeqësisht  Hamit Ibra, u gjet i pajetë.

Paraprakisht, dyshohet se shpërthimi i fuqishëm është shkaktuar nga një bombol gazi, megjithatë ende nuk ka një version zyrtar. Pallati është tërësisht i pabanueshëm./ZËRI

MOS HUMB