TIRANË- Studentët kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese 3 ankime kundër akteve të miratuara nga qeveria pak ditë më parë.
Konkretisht: bëhet fjalë për aktin që parashikon kufizime për protestat dhe kompetenca shtesë për policinë; akti që përcakton përgjegjësi solidare për organizatorët e protestave për dëmet e shkaktuara nga të tjerët; si dhe aktin që lidhet me krijimin e një regjistri policor dhe masat për kufizimin e lëvizjes jashtë vendit.
Sipas kërkesës së tyre, studentët i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që tre ankimet të shqyrtohen me përparësi dhe të pezullohet zbatimi i masave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar
Njoftimi i plotë:
Sot, më 5 nëntor 2026, në orën 14.00, do të jemi përpara Gjykatës Kushtetuese për të depozituar tre ankime kundër akteve që qeveria miratoi më 28 tetor. Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin.
Ne, studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, kemi nënshkruar tre ankime së bashku me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH), Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.
Kundërshtojmë:
Aktin normativ nr. 5/2026 i cili i jep policisë të drejtën të ndalojë ose të kufizojë protestat rreth institucioneve, të largojë qytetarë nga “zonat e mbrojtura”, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjete dhe të vendos gjoba deri në 500 mijë lekë, sa dhjetë paga minimale;
Aktin normativ nr. 6/2026 i cili i bën organizatorët përgjegjës solidarisht për dëmet e shkaktuara nga të tjerë gjatë protestave të tetorit dhe vendos gjoba për sjellje të kryera para se këto gjoba të ekzistonin;
VKM-në nr. 815/2026 i cili krijon një regjistër policor në prokurori që personit t’i refuzohet dalja nga vendi pa vendim gjykate ose të njoftohet shteti ku udhëton, policia njofton për të edhe hotelet.
Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë.
Për këtë arsye, kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues.
Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik.
Ftojmë gazetarët të jenë të pranishëm sot, më 5 nëntor, në orën 14.00, përpara Gjykatës Kushtetuese.
Ne do të jemi aty, me tre ankime dhe me të njëjtën vendosmëri për të mos heshtur përballë padrejtësisë.
Për pyetje mëtejshme, mund të kontaktoni 069 707 2836 apo 068 345 7071.
Gjithë të mirat,
Studentët n’ Protestë
Revolucioni Studentor.