
ELBASAN-Një ditë pas shpërthimit që la pas dy viktima në pallatin pesë katësh në Elbasan, godina duhet të shembet. Persida Shkrepa drejtoresha e institutit të ndërtimit deklaroi nga vendngjarja se pallati është ndërtuar në vitet ‘70 dhe ka pësuar dëmtime të forta, ku si pasojë është i pabanueshëm. Shkepa gjithashtu njoftoi se do të duhet që të sigurohen edhe objektet që janë përreth.
Persida Shkrepa, drejtoresha e institutit të ndërtimit: Ky është një objekt i ndërtuar në vitet ‘70. Dëmtimet që kanë pësuar kanë qenë të forta nga gazi dhe zjarri. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm. Duhet të merren masa sa më shpejta për t’u demoluar. Duhet të merren masa që edhe banorët që do të duhet të hyjnë në objekt, në seksionin e parë ku nuk ka pasur goditje. Seksioni i dytë është i pabanueshëm dhe i paaksesueshëm nga asnjë banor. Do duhet që të bëhen të shoqëruar me forcat zjarrfikëse. Masa e dytë që duhet marrë, në një rreze prej 30 metrash, do të duhet që të sigurohen edhe objektet që janë përreth.
Ndërkohë kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja njoftoi se banorët që nuk kanë mundësi të qëndrojnë te të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe ushqimet. Sipas tij, Bashkia do të vijojë t’u garantojë strehim deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe marrjen e masave sipas ligjit për emergjencat civile.
Gledian Llatja: Që mbrëmjen e kaluar janë marrë masa për akomodimin e të gjithë personave që nuk kishin mundësi të strehoheshin. Ata janë sistemuar në konviktin e qytetit të Elbasanit, ku u janë siguruar edhe ushqimet përkatëse. Një pjesë e madhe e banorëve kanë dalë nga banesat vetëm me rrobat e trupit. Disa prej tyre kanë qëndruar te të afërmit, ndërsa të tjerë janë akomoduar në strukturat tona të strehimit. Do të vijojmë t’i strehojmë në ambientet e Bashkisë së Elbasanit deri në përfundimin e procedurave ligjore.