Aktualitet

BKH ‘zbarkon ‘në Sarandë, kontrolle te Elton Dauti dhe “Eco Taxi”, në ‘lupë’ leja e Kumbaros për Syrin e Kaltër

Gjithashtu, raportohet se një tjetër pistë që po verifikohet është edhe funksionimi i trenave turistikë në Syrin e Kaltër, një nga destinacionet natyrore më të vizituara në jug të Shqipërisë.

zh.ll
BKH ‘zbarkon ‘në Sarandë, kontrolle te Elton Dauti dhe
foto ilustrim: elton dauti-mirela kumbaro

SARANDË- Një aksion i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është zhvilluar në Sarandë. Mësohet se aksioni është zhvilluar një ditë më parë, që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ku në fokus kanë qenë kontrollet te disa biznese dhe persona të lidhur me zv.kryetarin e Bashkisë, Elton Dauti.

Nga raportet mediatike mësohet se fillimisht BKH ka ushtruar kontrolle në banesën e Dautit, e më pas kanë vijuar te ortaku i tij, Kostandin Papa. Kontrolle ka pasur gjithashtu edhe në ambientet e “Eco Taxi”, aktivitet që lidhet me të dy ata, Dauti dhe Papa.

Edhe pse deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi aksionin dhe objektin konkret të kontrolleve, dyshohet se ato kanë lidhje me hetimet për trenin elektrik në zonën e Syrit të Kaltër.

Raportimet bëjnë me dije se po verifikohet është edhe funksionimi i trenave turistikë në Syrin e Kaltër, një nga destinacionet natyrore më të vizituara në jug të Shqipërisë. Lidhur me këtë, në fokus është edhe procedura për pajisjen me leje të këtij aktiviteti në një zonë të mbrojtur, leje e miratuar nga ish-ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Treni elektrik për turistët është vënë në funksion në prill të vitit 2024, ndërsa hetimet synojnë të sqarojnë procedurat për dhënien e lejes dhe dokumentacionin mbi të cilin është mbështetur miratimi, si dhe lidhjet e personave e subjekteve private me aktivitetin turistik.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi rezultatet e kontrolleve apo materialet dhe dokumentet e administruara nga hetuesit. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse ndaj Elton Dautit apo Kostandin Papës janë marrë masa të tjera procedurale./ZËRI

MOS HUMB