Aktualitet

'Shkelje për paraburgimin'/ Strasburgu i jep të drejtë Fredi Belerit, shteti do t’i paguajë 5 450 euro! (VENDIMI)

Sipas vendimit të GJEDNJ, vazhdimi i paraburgimit të Fredi Belerit nga autoritetet shqiptare ishte joproporcional dhe nuk mbështetej në arsye të mjaftueshme.

Zeri
'Shkelje për paraburgimin'/ Strasburgu i jep të drejtë
fredi beleri

BRUKSEL- Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka konstatuar shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen e Fredi Belerit, lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit të tij. Sipas vendimit të GJEDNJ, vazhdimi i paraburgimit të tij nga autoritetet shqiptare ishte joproporcional dhe nuk mbështetej në arsye të mjaftueshme.

Gjykata sqaron se vendosja fillestare e Belerit në paraburgim nuk përbënte shkeljen, por shton se nga data 19 korrik 2023 e në vijim, mbajtja e tij në paraburgim nuk mbështetej më në arsye të mjaftueshme.

Strasburgu argumenton në vendim se gjykatat shqiptare nuk morën në konsideratë sa duhet faktin se hetimet kishin përfunduar dhe dosja ishte dërguar për gjykim. Gjithashtu, nuk u paraqitën prova konkrete se Beleri mund të ndërhynte në dëshmitë apo provat e çështjes. Gjithashtu, nënvizohet se nuk ishin shqyrtohet në mënyrë të mjaftueshme lidhjet familjare dhe ekonomike të tij me Himarën, si dhe mundësia e zëvendësimit të paraburgimit me masa më të buta sigurie.

Në përfundim, Gjykata Evropiane ka vendosur që shteti shqiptar t’i paguajë Fredi Belerit një total prej 5 450 eurosh, ku 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për kostot dhe shpenzimet gjyqësore. Në vendim theksohet se pagesa duhet të kryhet brenda tre muajve nga momenti kur vendimi merr formë të prerë.

VENDIMI I STRASBURGUT

E shpall kërkesën të pranueshme.

Konstaton se nuk ka pasur shkelje të nenit 5, paragrafi 3, të Konventës për sa i përket vendosjes fillestare të kërkuesit në paraburgim.
Konstaton se ka pasur shkelje të nenit 5, paragrafi 3, të Konventës, pasi, të paktën nga 19 korriku 2023 e në vijim, mbajtja e kërkuesit në paraburgim nuk mbështetej më në arsye të mjaftueshme.

Vendos që

a) Shteti i paditur t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data kur vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44, paragrafi

2, të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat do të konvertohen në monedhën e shtetit të paditur sipas kursit të këmbimit në fuqi në datën e pagesës.

i. 450 euro (katërqind e pesëdhjetë euro), plus çdo tatim që mund të zbatohet, për dëmin jopasuror.

ii. 5 000 euro (pesë mijë euro), plus çdo tatim që mund t’i ngarkohet kërkuesit, për kostot dhe shpenzimet.

b) Nga përfundimi i afatit tremujor të sipërpërmendur deri në kryerjen e pagesës, mbi shumat e mësipërme të paguhet interes i thjeshtë, me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës, të shtuar me tre pikë përqindjeje.

Fredi Beleri u dënua me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota.

Ai u arrestua më 12 maj 2023, por edhe pse nga qelia, arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit. Por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij. Edhe pse kurrë nuk u lejua të betohej si kryebashkiak, Atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë./ZËRI

MOS HUMB