ELBASAN-Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka inspektuar këtë të martë pallatin e përfshirë nga zjarri tragjik në Elbasan, i cili la pas dy viktima. Demo gjatë takimit me banorët, tha se institucionet do të diskutojnë alternativat për një zgjidhje afatgjatë, ndërsa inxhinierët do të vlerësojnë gjendjen e godinës dhe ndërhyrjet e mundshme.
"Sot kemi një takim pune në terren për të diskutuar cilat do të jenë alternativat që do të ndjekim. Do të kenë një mbështetje absolute. Të gjitha institucionet duhet të ndërveprojnë për zgjidhjen e problemit. Ajo ishte një tragjedi që mund të ishte më e rëndë. Dy jetë njerëzish është fatkeqësi, por duhet të shohim përpara për adresimin e të gjitha shqetësimeve të banorëve të atij pallati”, tha Demo.
Ndërkohë kryebashkiaku njoftoi se është miratuar bonusi i qirasë për të gjitha familjet e prekura nga zjarri. Ai sqaroi se vlera e përfitimit është përcaktuar në bazë të çmimeve të tregut dhe sipërfaqes së banesës që i nevojitet secilës familje. 15 familjeve të prekura u është kërkuar të paraqesin dokumentacionin përkatës, ndërsa Bashkia ka siguruar edhe raportin paraprak nga Kadastra.
Shpërthimi ndodhi mesditën e 4 nëntorit, ku flakët e nisura në katin e tretë u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat, muret dhe duke shkaktuar shembje. Si pasojë, tre kate të pallatit janë bashkuar me njëri-tjetrin. Përveç Hamit Ibrës, pronarit të banesës, ku raportohet se pati rrjedhje gazi, si pasojë e zjarrit humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha. Pallati u shpall i pabanueshëm dhe do të shembet plotësisht.