TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë, Klodian Spahiu, ka njoftuar se shërbimi i hemodializës ka kaluar në administrimin e shtetit dhe prej disa ditësh ofrohet në sistemin publik për rreth 500 pacientë. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Spahiu deklaroi se deri më tani shërbimi po ofrohet sipas standardeve dhe protokolleve përkatëse. Gjithashtu, ministrja evidentoi edhe problematikën e transportit të pacientëve, për të cilën tha se do të shqyrtohet mundësia e rritjes së pagesës, me qëllim lehtësimin e aksesit të pacientëve në trajtim.
"Pasi mora detyrën, pata një sinjalizim nga kolegët e opozitës për abuzim me procedurën e OSHISH-it për dializën. Pas këtij sinjalizimi, kërkova një auditim, i cili konstatoi një abuzim. Auditimi na shërbeu për të rivlerësuar dhe riformatuar procedurën për shërbimin e dializës. Për këtë, falënderoj opozitën për vigjilencën.
Hemodializa ka filluar prej disa ditësh, pra ky shërbim i ka kaluar shtetit. Shërbimi për 500 pacientët që kanë kaluar në shërbimin publik, ka qenë në standard të mirë, me kontroll të detajuar, ndjekje në sistem sipas protokollit, ne duam që kjo cilësi të mos ulet por të rritet edhe më shumë. Një kërkesë që i duhet gjetur zgjidhja është transporti. Do përpiqemi që kjo problematikë të zgjidhet, sidomos edhe për ata pacientë që janë me aftësi të kufizuar. Do të gjejmë mënyrën për ta rritur pagesën për këta pacientë", tha Spahiu.