Aktualitet

Vrasja e Nikulajt, Saraiva: S'më është garantuar transparenca në proces! Mbrojtja: S'ka prova që ishte ai personi që qëlloi

Mësohet se seanca është shoqëruar me debate, ndërsa mbrojtja ka kërkuar prishjen e vendimit të dënimit dhe rigjykimin e çështjes.

zh.ll
Vrasja e Nikulajt, Saraiva: S'më është garantuar
Ruben Saraiva dhe Ardian Nikulaj

TIRANË- Këtë të martë, në Gjykatën e Apeli është zhvilluar seanca gjyqësore për Rubens Saraivën, portugezin e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në 2023.

Në sallën e gjyqit janë të pranishëm vetë Saraiva, familjarë të viktimës, si dhe katër punonjës të Policisë së Burgjeve. Mësohet se seanca është shoqëruar me debate, ndërsa mbrojtja ka kërkuar prishjen e vendimit të dënimit dhe rigjykimin e çështjes.

Avokati mbrojtës parashtroi pretendimet e tij në lidhje me mënyrën e zhvillimit të hetimeve. Sipas avokatit, Saraiva, i cili është shtetas i huaj dhe ka si gjuhë amtare portugalishten, nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet e çështjes të përkthyera në gjuhën që kupton. Më tej, mbrojtja pretendoi se asnjë nga dëshmitarët nuk e kishte identifikuar drejtpërdrejt Saraivën si autor, teksa shtoi se as ADN-ja e portugezit nuk është gjetur në ndonjë objekt apo provë të lidhur drejtpërdrejt me vrasjen. 

Avokati i Saraivës ka kërkuar rigjykimin e çështjes në Gjykatën e Lezhës me një trup tjetër gjykuese, si dhe rimarrjen e provave mes tyre, dëshminë e shtetases Valbona D. 

Nga ana tjetër, vetë Saraiva ka pretenduar se nuk i është garantuar transparenca e nevojshme gjatë procesit gjyqësor, duke theksuar se nuk flet dhe nuk kupton gjuhën shqipe. Ai është shprehur se kishte pritur të merrte të gjitha aktet e dosjes të përkthyera, dhe jo vetëm vendimin gjyqësor,

Pjesë nga seanca:

Avokati: Është dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi nuk ka qenë i rregullt në aspektin procedural, pasi ai nuk ka marrë asnjë akt shkresor në gjuhën amtare të tij. Provat e administruara nuk krijojnë një bindje se Ruben Saraiva është personi i maskuar që qëlloi. Ne e kuptojmë dhimbjen e familjarëve, por garancitë kushtetuese në gjykim duhet të garantohen.

Kërkojmë prishjen e vendimit me të cilin Saraiva është dënuar dhe rigjykimin e çështjes. Kërkojmë rimarrjen e provave vendimtare, mes tyre dëshminë e Valbona D., si dhe caktimin e një përkthyesi, për arsyet që kemi paraqitur. Kërkesa kryesore është konstatimi i shkeljes së së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe konstatimi i papërdorshmërisë së dëshmisë së shtetases Valbona D., e marrë në shkelje të procedurave ligjore. Kërkojmë prishjen e vendimit të dënimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë, atë të Lezhës, por me një trupë tjetër gjykuese.

Ruben Saraiva: Jam dakord me atë që tha avokati. Kërkoj ndjesë nëse përsëritem. Mendoj se, si qytetar i huaj, minimumi që duhet të më ofrohej është transparenca në proces, për provat dhe hetimin. Transparenca është e drejta ime, jo vetëm si qytetar i huaj, por edhe si i pandehur, si dikush që nuk flet dhe nuk kupton shqip. Mendoja se gjykata, prokuroria apo kushdo tjetër do të më jepte mundësinë të kuptoja se çfarë po ndodhte. Jam dënuar me burgim të përjetshëm. Mendoja se do të merrja të gjitha aktet e përkthyera dhe jo vetëm vendimin.

Si ndodhi vrasja?

Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin. Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë: Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman. Ndërsa personi që qëlloi u identifikua nga policia si Ruben Saraiva. Ky i fundit, arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në Dhjetor të 2023./ZËRI

MOS HUMB