Politikë

Veliaj kërkon të marrë pjesë në Asamblenë e PS, letër SPAK-ut dhe Klosit: Më krijoni kushtet, nëse jo fizikisht...

Kryebashkiaku Erion Veliaj kërkon që të jetë prezent fizikisht në Asamblenë e PS-së, fizikisht ose përmes një video-konference.

zh.ll
Veliaj kërkon të marrë pjesë në Asamblenë e PS,
erion veliaj-edi rama

TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj kërkon të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, të shtunën, më 14 nëntor. Për këtë qëllim, Veliaj i ka bërë kërkesë SPAK-ut që t’i garantohet pjesëmarrja fizike në mbledhje. Përmes një shkrese zyrtare, kryebashkiaku shton se nëse kjo është e pamundur, t'i lejohet të jetë pjesë me video-konferencë. 

"Duke qenë se ndodhem nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”, ju kërkoj të shqyrtoni me urgjencë mundësinë ligjore të pjesëmarrjes sime fizike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare dhe sipas kompetencës suaj, të jepni miratimin përkatës ose t’ia përcillni kërkesën pa vonesë autoritetit kompetent për vendimmarrje. Nëse pjesëmarrja fizike nuk mund të realizohet, kërkoj që të shqyrtohet dhe të mundësohet pjesëmarrja ime nëpërmjet videokonferencës nga ambientet e IEVP Fier", nënvizohet në shkresën e Veliajt. 

Kërkesa i është drejtuar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.

"Të më njoftohen zyrtarisht ora, vendi, rendi i ditës dhe dokumentet që do të shqyrtohen në mbledhjen e datës 14 nëntor 2026. Pjesëmarrja në një organ kolegjial nuk kufizohet vetëm te marrja dijeni për vendimet e tij. Ajo përfshin mundësinë reale për të dëgjuar, për t’u dëgjuar, për të diskutuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas rregullave statutore.", shkruhet në kërkesë. 

Kërkesa e Veliajt vjen mes një klime të tensionuar edhe brenda PS, pasi kryebashkiaku ka drejtuar publikisht akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Kjo 'luftë' nisi menjëherë pas raportimit të vizitës së ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, në ambientet e qelisë në Fier. Fillimisht u raportuan si pretendime kërkesat e Gogut me urdhër të kryeministrit, por më pas ishte vetë Veliaj i konfirmoi këto pretendime dhe akuzoi publikisht kreun e qeverisë.

Ndërkohë, në Asamblenë e PS që pritet të zhvillohet në një resort në Gjirin e Lalzit të shtunën, në orën 10:00. Në fokus pritet të jetë edhe organizimi i strukturave të partisë për procesin e ardhshëm zgjedhor, pasi mbledhja e Asamblesë zhvillohet në prag të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Mbledhja zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa javët e fundit vendi është përfshirë nga protesta të studentëve, të cilat janë shoqëruar me përplasje fizike, incidente dhe akte dhune./ZËRI

MOS HUMB