
TIRANË- Drejtoria e Policisë së Tiranës ka reaguar pas denoncimit publik të një të riut, i identifikuar si Enea Gjodedja, i cili pretendoi se ishte dhunuar dhe kërcënuar nga efektivë të Policisë brenda Komisariatit Nr. 1. Në një deklaratë për mediat, Policia i ka cilësuar të pavërteta pretendimet për ushtrim dhune në ambientet e komisariatit, duke sqaruar se i riu nuk është thirrur në asnjë moment në zyrën e shefit të komisariatit.
Gjithashtu, Policia ka dhënë edhe versionin e saj lidhur me shoqërimin dhe procedimin e të riut. Sipas uniformave blu, në procesverbalin e mbajtur në momentin e largimit nga komisariati, ai ka deklaruar se nuk kishte pretendime për veprimet e efektivëve. Ndërkohë që një ditë më pas, sipas Policisë, i riu është paraqitur në spital me dëmtime në syrin e majtë, duke pretenduar se ishte dhunuar nga persona të panjohur pranë ish-Hotel Dajtit.
Në përfundim, Policia sqaron se i riu E.Gj., nuk ka pranuar të bëjë kallëzim.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me pretendimet e shtetasit E. Gj. për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të Komisariatit, sqarojmë opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.
Shtetasi E. Gj. është shoqëruar mbrëmjen e datës 17.11.2026 në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.
Në momentin e largimit nga ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, shtetasi E. Gj. ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera nga punonjësi i Policisë me personin e ndaluar përkohësisht, në të cilin ka deklaruar se nuk kishte pretendime në lidhje me veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë.
Njëkohësisht, bëjmë me dije se shtetasi E. Gj. nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se, më datë 18.11.2026, rreth orës 15:05, ky shtetas është paraqitur në spital me dëmtime në pjesën e syrit të majtë. Në momentin kur është pyetur nga punonjësit e Policisë të planizuar me shërbim pranë spitalit, ai u ka bërë me dije se, më datë 17.11.2026, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, është ndaluar dhe dhunuar nga disa shtetas që nuk i njeh. Gjatë pyetjeve të bëra nga Patrulla e Përgjithshme ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Sqarojmë gjithashtu se ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallëzim. Për këtë rast është njoftuar edhe salla operative e DVP Tiranë.
Një ditë më parë, rasti i të riut po qarkullonte në rrjet, pasi u shfaq para kamerave me njërin sy të nxirë. Ai tregoi se incidenti kishte ndodhur teksa po largohej nga protesta për t’u kthyer në banesë. Në dëshminë e tij, ai pretendoi se ishte shoqëruar në Komisariatin nr.1, ku sipas tij, ishte dhunuar./ZËRI