Bota

Sulm i madh kibernetik ndaj Komisionit Evropian, në rrezik të dhënat personale dhe sistemet e pagave

Sipas raportimeve të “Politico”, sulmi që ka zgjatur më shumë se 10 ditë ,mund të ketë vënë në rrezik një numër të madh të dhënash personale.

zh.ll
Sulm i madh kibernetik ndaj Komisionit Evropian, në rrezik të
foto ilustruese-komisioni europian

BRUKSEL- Një sulm i madh kibernetik ka goditur sistemet e Komisionit Evropian. Si pasojë e sulmit janë shkaktuar ndërprerje të shërbimeve dixhitale dhe duke ngritur dyshime për komprometimin e një sasie të konsiderueshme të dhënash personale.

Sipas raportimeve të “Politico”, sulmi që ka zgjatur më shumë se 10 ditë ,mund të ketë vënë në rrezik një numër të madh të dhënash personale. Bëhet fjalë për një sërë problemesh në sistemet e brendshme, përfshirë platformat që përdoren nga punonjësit për pagat, lejet dhe rimbursimet mjekësore.

Problemet kanë prekur platformën Sysper, e cila menaxhon burimet njerëzore, pagat, aplikimet për leje dhe fletët e orarit, si dhe sistemin **MyPMO**, që përdoret për rimbursimet mjekësore. Megjithëse të dyja sistemet u rikthyen në funksion në fillim të kësaj jave, Sysper pësoi sërish një ndërprerje të përkohshme të mërkurën.

Një zyrtar i BE-së deklaroi se Komisioni beson se ka arritur të përmbajë pjesën më të madhe të sulmit, por shkalla e plotë e dëmit ende nuk është përcaktuar.

“Komisioni beson se ka përmbajtur pjesën më të madhe të sulmit, por shkalla e plotë e dëmit mbetet e paqartë. Sistemet mund të rikthehen gradualisht në funksion. Megjithatë, përgjigjet po zgjasin pak më shumë”, tha zyrtari për “Politico”.

Sipas raportimit, shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve të BE-së, CERT-EU, zbuloi në fillim të këtij muaji se hakerat ndërkombëtarë kishin përdorur ARTEX, një mjet të inteligjencës artificiale i disponueshëm publikisht, i projektuar për identifikimin e dobësive në sistemet informatike.

Lidhur me këtë, si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht, ndërsa zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Rainier, konfirmoi se institucionet kishin marrë masa pas zbulimit të fushatës kibernetike.

“Komisioni Evropian mori masat e nevojshme në përgjigje të një fushate sulmi kibernetik që u zbulua. Sistemet individuale u vunë në shënjestër dhe, në përputhje me praktikën tonë të zakonshme, ne i informuam ata që u prekën”, deklaroi ai.

Ky incident në Komisionin Europian vjen në një kohë kur sulmet kibernetike po shtrihen gjithnjë e më shumë në vende dhe institucione të ndryshme, strategjike. Sulmet me të fundit u regjistruan në SHBA. Në mesin e objektivave të raportuara së fundmi janë Microsoft, banka të mëdha amerikane, NSA-ja, si dhe kompani e media të njohura si Air France, BBC dhe Zoom./ZËRI

MOS HUMB